E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi për rrëzimin e “Boeing”-ut

Inspektorët e aviacionit civil janë duke hetuar në Pakistan shkaqet që sollën përplasjen me tokën të një Boeing 737 të “Air Bhoja”, në fazë ulje në aeroportin e Islamabadit, më parë gjatë javës.

Të gjithë pasagjerët dhe antarët e stafit, në total 127 persona, gjetën vdekjen në këtë aksident, ndërsa një numër i pacaktuar banorësh të fshatit ku u përplas avioni gjithashtu janë konfirmuar të vdekur.

Trupat e shpëtimit kanë arritur të identifikojnë 72 trupa, shumica tejet të dëmtuar, ndërsa për të identifikuar të gjithë mbetjet njerëzore do të duhen teste të detajuara gjenetike.

Copat e shkatërruara të avionit janë shpërndarë në një rreze prej disa kilometrash nga forcat e impaktit, ndërsa për momentin, kushtet e vështira atmosferike dhe një avari e mundshme në motorë janë dy arsyet e konsideruara si më të mundshmet për këtë aksident.

Në një konferencë për shtyp gjatë së dielës, Nadeem Khan Yousafzai, kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil në Pakistan, bëri me dije se: “Aeroplani ndodhej në një lartësi prej 2 900 këmbësh (880 metrash), kur për një arsye të pashpjegueshme, shkoi me hundë për poshtë dhe u përplas me tokën brenda disa sekondash. Një avari në motor është një arsye që ne po e hetojmë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›