BE, plane të fshehta për shpëtimin e euros

Mirëpo plani i përfaqësuesve udhëheqës të Bashkimit Evropian nuk është aq i fshehtë. Fakt është që në samitin e jashtëzakonshëm të BE-së më 23 maj këta të katër u ngarkuan me detyrën, që deri në samitin e rregullt të radhës në fund të muajit të shqyrtonin mundësitë për një zgjidhje afatgjatë të krizës.
Që atëherë ajo është acaruar edhe më shumë: Problemi kryesor nuk duket të jetë më çështja, nëse Greqia mbetet në bashkimin monetar, por nëse Spanja do të jetë në gjendje të shpëtojë bankat e saj në falimentim e sipër. Kush donte, mund të dëgjonte disa propozime nga takimi i udhëheqësve të BE-së javën e kaluar. Me sa duket duke e pasur fjalën për Spanjën, Barroso bëri fjalë për shembull për idenë e një "bashkimi bankar me mbikëqyrje financiare të njësuar dhe me sigurim depozitash të përbashkët."
Se çfarë do të thotë saktësisht kjo, këtë Barroso e la të hapur. Kjo u bë më e qartë këtë të hënë. Komisari i BE-së për monedhën Olli Rehn la të kuptohet gjatë një bisede me ministrin e ri të Financave të Francës Pierre Moscovici, se është e rëndësishme të mendohet për një "rikapitalizim të bankave". Fjala ishte për atë, që fondet e shpëtimit të euros EFSF dhe ESM të ndihmojnë bankat, që nuk po i mbajnë më këmbët, për shembull ato spanjolle. Me siguri, këto fjalë e kanë shqetësuar Berlinin.
Mirëpo gjatë takimit midis kancelares gjermane Angela Merkel dhe Barrosos të hënën në mbrëmje mikpritësja la të nënkuptohej njëfarë gatishmërie për afrimin e qëndrimeve. Ajo tha se me Barroson "do të flasë për atë, se ne çfarë mase na duhet t'i vendosim bankat sistemike nën mbikëqyrjen specifike evropiane". Por ajo theksoi se këto janë mendime në spektrin afatgjatë. Fjalën bashkim bankar ajo e shmangu.