Kampionat për t’u harruar
Sezoni 2011/12 në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll mori fund të dielën dhe tash është koha për t’i bërë llogaritë. Njohësit e futbollit kosovar edicionin që sapo përfundoi e konsiderojnë të parregullt, duke i pasur parasysh dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në xhirot e fundit.
Ata shpresojnë që dukuri të tilla të mos përsëriten në kampionatet e ardhshme, nëse synohet që futbolli kosovar të ecën përpara. Trajneri i njohur kosovar, Hysni Maxhuni dyshon shumë në rezultatet e ndeshjeve të fundit.
“Ato që i pamë në xhirot e fundit s’po na mbushin syrin që janë rezultate qysh kemi pritur. Rezultatet si 6:5 e 4:3 janë dyshuese. Në xhirot e fundit ka pasur disa parregullsi, kjo është një fatkeqësi. Nuk është mirë të akuzohet dikush, por gjithsesi janë rezultate të papritura dhe kjo nuk është për të mirën e futbollit”, deklaroi trajneri vushtrrias, i cili e përshëndeti lojën e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Vëllaznimit, të cilën e vlerësoi mjaft korrekte.
Sipas tij, këto situata mund të bëjnë që skuadrat që kanë luajtur fer të bien. Ai mendon se Prishtina e fitoi me plot meritë titullin e kampionit, përkundër disa rënieve që kishte gjatë sezonit. Edhe trajneri Gani Sejdiu ka gjetur vend për dyshime, pas rezultateve që u arritën në fund të sezonit. Ai thekson se ky ishte një sezon për t’u harruar.
“Mendoj se pjesa e parë e sezonit ishte më e mirë, kishte më shumë ekipe cilësore si Trepça ’89, Prishtina, Vëllaznimi e Drita. Kurse në pjesën e dytë u vërejt nj parregullsi. Nuk dua të paragjykoj, por nëse e analizojmë komplet sezonin, për të mirën e futbollit, duhet ta harrojmë sa më shpejt. Duhet t’i vishemi punës dhe t’i planifikojmë gjërat më mirë. Nëse vazhdojmë në rrugë të njëjtë, do t’i humbim vlerat”, tha ish trajneri i Trepçës, i cili thotë se duhet të mobilizohen të gjithë për ngritjen e cilësisë në futbollin kosovar.
Për dallim nga kolegu i tij Maxhuni, trajneri mitrovicas mendon se Prishtinës nuk duhet t’i mohohen vlerat dhe meritat, por ai insiston se Trepça ’89, duke u bazuar në përforcimet, organizimin dhe fondin e lojtarëve, e ka merituar titullin e kampionit.
Tortoshi: E kompletuam misionin
Jusuf Tortoshi e udhëhoqi Prishtinën drejt titullit të kampionit, duke e vazhduar punën e nisur nga Ramiz Krasniqi e të vazhduar nga gjermani Wolfgang Jerat. Trajneri prishtinas i pati 40 ditë kohë, në të cilat bardhekaltrit zhvilluan 10 ndeshje, 8 në kampionat e 2 në Kupë.
Ai e kreu misionin me sukses, duke ia sjellë Prishtinës titullin e kampionit, të gjashtin pas luftës, kurse të nëntin pas pavarësimit të sportit kosovar. Për Tortoshin ky ishte titulli i katërt personal me kryeqytetasit.
“Kur e kam marrë në dorë Prishtinën, s’ka qenë në momentin më të mirë. Kanë qenë në pyetje 40 ditë. Kanë qenë 10 ndeshje jashtëzakonisht të vështira, por ia dolëm mbanë, e kryem misionin me sukses. Këtë e arritëm me angazhimin e kryesisë së klubit, shtabit teknik dhe merita të veçanta kanë edhe djelmoshat. Ky ishte një sukses i madh i klubit”, nënvizoi Tortoshi.
Trepça ’89, e kënaqur me sezonin
Trepça ’89 deri në xhiron e fundit ishte kandidati më serioz, përkrah Prishtinës, për ta fituar titullin e kampionit. Mitrovicasit ishin ankuar javën e kaluar në parregullsinë e sezonit, e mbi të gjitha e akuzonin rivalin nga kryeqyteti për kurdisje të ndeshjeve. Por, me të përfunduar kampionati, ata i kanë bërë llogaritë dhe në fund rezultati nuk ishte dhe aq i keq.
“Ka qenë një sezon mjaft interesant dhe nuk është ditur kampioni deri në ditën e fundit. Këtë sezon e vlerësoj shumë pozitivisht për ne, Trepça ’89 ka pasur një rrjedhë të lakmueshme të kampionatit. Ne jemi nënkampionë dhe jemi në finale të Kupës. Shpresojmë ta fitojmë këtë trofe, i cili është mjaft i vlefshëm”, thotë kryetari i ‘Xehetarëve’, Ilir Bojku, i cili, përkundër ankesave të klubit të tij, ia uroi titullin e kampionit Prishtinës.
Rekord ndërrimesh të trajnerëve
Sezoni 2011/2012 do të mbahet mend gjatë nga trajnerët. Si asnjëherë më parë, prej dymbëdhjetë klubeve të elitës, asnjëri nga ta nuk e përfundoi sezonin me trajnerët me të cilët edhe e kishte nisur atë. Madje, disa nga ta i kanë ‘provuar’ nga dy, tre e deri në katër trajnerë. Kësaj liste edhe këtë edicion i priu Hysi, i cili assesi nuk po rehatohet me trajnerë.