LDK e AAK i thonë JO ekipit për Veriun

Por edhe sikur të kishin ftesë, zyrtarë të dy subjekteve opozitare, thonë se përgjigja do të ishte negative. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri tha se LDK-ja nuk hyn në kombinime të tilla për ta ndarë fajësinë, që sipas tij, e ka Qeveria aktuale për veriun.
“Ne nuk bëhemi pjesë e bashkëfajësisë në kuptimin e përgjegjësisë që ka zoti Thaçi me dështimet e gjertanishme që i ka në të gjitha aspektet e veçmas në bisedime, të cilat i ka shpallë se janë teknike, e tash po dalin politike. Për LDK zgjidhja për veriun është e gatshme dhe ajo është në pakon e presidentit Ahtisaari”, tha ai.
Ndërkaq, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se jo që AAK-ja nuk përfshihet në një ekip të tillë, por madje kërkon largimin e qeverisë aktuale nga skena.
“Jo, sepse i kemi kryer punët me ekipe në të kaluarën, tani Kosova duhet të funksionojë si shtet dhe kjo qeveri e cila nuk ka investuar deri tash gjë që nuk po e bën edhe më tutje, mendojmë se duhet të shkojë nga skena e qeverisjes dhe të vijë një qeveri e cila garanton siguri dhe lëvizje të lirë për qytetarët”, tha ai.
Përfaqësuesit e opozitës thonë se për ta zgjidhur çështjen e veriut, nuk ka nevojë për ekipe të veçanta, apo për çfarëdo kombinimi tjetër, por vetëm duhet zbatuar Pakoja e Ahtisaarit.
Qeveria e Kosovës nga ana tjetër, ka shprehur gatishmërinë të bisedojë me serbët e veriut, si qytetarë të Kosovës, por jo edhe me Beogradin, pa u implementuar marrëveshjet e arritura në dialogun teknik.