Misioni EULEX në Kosovë, BE: Deri në 2014

Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, të vazhdoj së paku deri në qershor të vitit 2014, duke premtuar se ai do të jetë “më i fuqishëm, më i vogël dhe më efikas”.Kjo lëvizje u bë pas ripërtitjes së fundit të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
“EULEX-i po bën një punë të mirë dhe të rëndësishme në mbështetjen e sundimit të ligjit në Kosovë”, tha në deklaratën e saj shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, dhe shtoi se “në të ardhmen, më tepër përgjegjësi do të duhet të merren nga autoritetet lokale”.
Bashkimi Evropian synon reduktimin e personelit të misionit për 25%, si pjesë e rikonfigurimit, që ka për qëllim reflektimin e “progresit të arritur dhe zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve BE-Kosovë”, ka njoftuar Bashkimi Evropian.
Në mesin e personelit të misionit përfshihen kryesisht oficerë policie, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të doganave.
Sipas BE-së, do të ketë “fokus special” në sektorin e drejtësisë në Kosovë, derisa ai “mbetet sfida kryesore”.