BE po vlerëson transferimin e 210 miliardë eurove të aseteve ruse nga Euroclear te një mekanizëm evropian

Komisioni Evropian po kryen vlerësime tekniko-ligjore mbi mundësinë e zhvendosjes së llogarisë me asete sovrane ruse të imobilizuara nga depozituesi belg “Euroclear” drejt një strukture ose instrumenti të posaçëm të Bashkimit Evropian. Kjo hipotezë, e cila për momentin mbetet në fazë paraprake, po mbështetet dhe po shtyhet përpara nga disa shtete anëtare në vazhdën e diskutimeve mbi përdorimin e fondeve të bllokuara.
Propozimi në fjalë – i cili në ambientet e Brukselit po njihet si “Transferimi Evropian” ose “Transferimi Rus” – synon zhvendosjen e aseteve dhe detyrimeve që lidhen me rreth 210 miliardë euro të Bankës Qendrore të Rusisë, të ngrira në kuadër të sanksioneve pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Qëllimi kryesor i kësaj manovre financiare dhe ligjore është adresimi i ekspozimit të drejtpërdrejtë të Belgjikës ndaj rreziqeve të mëdha ligjore dhe padive financiare nga ana e Moskës, për shkak të selisë së Euroclear në territorin belg.
Pavarësisht se bisedimet dhe vlerësimet teknike pranë Ekzekutivit Evropian janë ende në fazat e tyre fillestare, zërat dhe presionet diplomatike po shtohen në Bruksel për gjetjen e një formule që do të zhbllokonte përdorimin e këtyre burimeve në dobi të Ukrainës pa cenuar stabilitetin e sistemit financiar belg.
/rtsh.al/