E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, aksion për lirimin e hapësirave publike, jo më parkime të personalizuara mes pallateve

Hapësirat mes pallateve në Durrës janë kthyer prej kohësh në vendparkime të personalizuara.

Me konë plastikë, zinxhirë, goma, kangjella, karrige e sende të tjera, qytetarë të ndryshëm bllokojnë hapësirat publike për të rezervuar një vend për automjetin e tyre.

Një praktikë që tashmë po kundërshtohet nga Policia Bashkiake, e cila ka nisur aksionin për lirimin e këtyre hapësirave.

“Hapësirat publike janë për të gjithë, nuk janë për t’i zënë ato në mënyrë të kundërligjshme dhe ky operacion aktualisht po bëhet në bashkëpunim edhe me vetë qytetarët për t’i liruar këto në mënyrë vullnetare,” theksoi Flamur Gjuzi.

Drejtori i Policisë Bashkiake të Durrësit, Flamur Gjuzi, paralajmëron se nëse këto hapësira do të zaptohen përsëri, qytetarët do të penalizohen me gjoba dhe ndjekje penale.

“Çdo veprim ynë monitorohet edhe nëpërmjet videove dhe fotove, çka do të thotë që qytetarët nuk mund ta ripërsërisin më një veprim të tillë duke zënë hapësirën publike. Në rast se do të përsëritet, atëherë policia bashkiake do të marrë masa administrative, plus edhe procedime penale në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.”

Paralelisht me aksionin e sotëm, Policia Bashkiake po vazhdon me punën për përcaktimin e zonave ekskluzive për parkim për rezidentët.

“Në dijeninë time, Bashkia e Durrësit përveç parkimeve me pagesë po bën edhe vendet e parkimeve për rezidentë dhe policia bashkiake ka evidentuar deri tani qindra vende të tilla, ia ka referuar ato Bashkisë Durrës dhe besoj në ditët në vazhdim Bashkia Durrës do të dalë me vendime përkatëse.”

Aksioni pritet që në ditët në vijim të shtrihet në të gjitha lagjet e qytetit të Durrësit, ndërsa Policia Bashkiake bën apel që qytetarët dhe subjektet t’i largojnë vullnetarisht këto pengesa.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›