E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE pranon kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë miratuar shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, duke i kërkuar Komisionit tëpërgatisë procedurat e nevojshme për të vlerësuar statdin aktual të Shqipërisë. Në mbledhjen e drekës nuk pati asnjë diskutim shqetësues në lidhje me këtë çështje, gjë që konfirmon mbështetjen e bllokut për vendin tonë dhe suksesin e reformave të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Gjatë gjithë këtij muaji, përfaqësuesit më të lartë të Brukselit dhanë pa hezitim mbështetje për liberalizimin e vizave me vendin tonë, një proces që shihet si hapi i fundit i një vendi që aplikon drejt statusit kandidat në bllok. Vetëm pak ditë më parë ministri i Jashtëm italian Franko Fratini gjatë një takimi me zvkryeministrin Ilir Meta premtoi se që nga pranvera e ardhshme Shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt europës falë një procesi të përshpejtuar duke qenë se blloku është I kënaqur me progresin e Shqipërisë që deri më tani po përmbush në terma të kënaqshëm kushtet e vendosura nga Brukseli për liberalizimin e vizave. Deklarata e Fratinit erdhi vetëm pak orë pasi Parlamenti Europian aprovoi rezolutën e Komisionit parlamentar për integrimin ku vendoset përshpejtimi i procedurave për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen. Në muajin Prill kryeministri Sali Berisha dorëzoi në Pragë aplikimin për statusin kandidat në Bashkimin Europian. Kryeministri çek Mirek Topolanek që kryesonte atëherë presidencën e Bllokut tha se ky moment erdhi mbi të gjitha për shkak të reformave të qeverisë, që ai i cilësoi të jashtëzakonshme. Pas vendimit të rëndësishëm të marrë sot në Bruksel, Komisioni europian do t’i dërgojë menjëherë Shqipërisë pyetësorin që do të vlerësojë ecurinë e vendit dhe kapacitetet administrative të vendit duke i dhënë dritën jeshile nisjes së procesit historik për shqyrtimin e aplikimit për statusin kandidat të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›