BE rrit dozën e paralajmërimit: Tejkalimi i krizës lë Shqipërinë jashtë Europës

Bashkimi Europian kërcënon më fuqishëm se kurrë se mund të penalizohen aspiratat europiane të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, nëse kriza politike mes palëve nuk gjen menjëherë zgjidhje. Në një deklaratë të përbashkët të bërë pasditen e djeshme nga ana e kryetarit të Partive Popullore Europiane, Jozef Dol, dhe Presidentit të Partive Socialdemokrate, Martin Shuls, krizës politike në këmbët e qeverisë dhe opozitës konsiderohet si e keqja më e madhe për rrugën europiane të Shqipërisë. “Ne shpresojmë që lidershipi politik në Shqipëri ta kuptojë mirë se tejkalimi i kontradiktave aktuale politike janë vendimtare për progresin e integrimit të vendit në BE, dhe për promovimin e aspiratave europiane të qytetarëve shqiptarë”, theksohet qartë në deklaratën e përbashkët të Daul dhe Shultz. Penalitetet që e presin Shqipërinë, thekson qartë edhe kur deklarata thekson se progresi i vendit tonë do matet në bazë të kritereve të Kopenhagës, ku kriteri më i rëndësishëm për vijimin e integrimit është ai politik. “Ne vazhdojmë ta mbështesin rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, bazuar në kriteret e Kopenhagës dhe po kështu në kriteret e përcaktuara nga konkluzionet e Këshillit Europian në vendimin e rinovuar për zgjerimin në dhjetor të vitit 2006”, shprehet presidenti i PPE-ve dhe ai i Partive Socialdemokratike Europiane.
Nga ana tjetër, kjo deklaratë nuk vjen vetëm nga grupet e majta dhe të djathta të Parlamentit Europian, por në të ndihet edhe zëri i Këshillit të Ministrave të vendeve europiane. “Ne theksojmë, - bashkë me Këshillin - se është përgjegjësi e qeverisë së bashku me opozitën të gjejnë menjëherë një zgjidhje transparente që respekton në mënyrë të plotë Kushtetutën e Shqipërisë, zgjidhje për ngecjen aktuale dhe mënyra për ta çuar vendin në rrugën e kërkuar drejt BE-së”, theksohet në deklaratën që pasditen e djeshme u gjend në tryezat e punës së Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Por deklarata e përbashkët e drejtuesve të lartë të PE-së, ndonëse tonit të ashpër dhe penalizimeve që parashikon për të ardhmen e Shqipërisë, nuk harron të shpreh keqardhjen që Daul dhe Shultz nuk ndihmuan dot në gjetjen e një zgjidhjeje mes palëve. “Ne sinqerisht na vjen keq që qeveria dhe opozita nuk mundën t’i tejkalonin kundërshtitë e tyre dhe prandaj nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshëm të nevojshëm drejt përmbushjes së ambicies europiane të vendit”, shprehen përfaqësuesit e lartë të PE-së aty, duke kujtuar takimin e mbajtur rreth një muaj më parë në Strasburg. Por nga ana tjetër, Dual dhe Shultz në deklaratën e tyre nuk harrojnë të japin edhe direktiva për forcat politike kryesore në vend. Opozitës ata i kërkojnë që të vazhdoj të qëndroj në Parlament. “Ne i kërkojmë opozitës shqiptare të rrinë në Parlament dhe të vazhdoj aty punën”, theksohet në mënyrë eksplicite në deklaratë. Nga ana tjetër, ata kërkojnë nga qeveria që nënkuptohet mazhoranca që të jetë promotore e fillimit të punës për ndryshime në Kodin Elektoral. “Në të njëjtën kohë, ne presim që qeveria të punojë bashkë me opozitën me qëllimin e reformimit të sistemit aktual elektoral dhe procedurave parlamentare”, kërkojnë ata. Sipas tyre, klasa politike shqiptare duhet t’i mendojë me shumë seriozitet pasojat që moszgjidhja e situatës ka për vendin.