Ligji i ri, si do të shpërblehen artistët
Diskutimet ndër vite të ligjit “Për Artin skenik”, së fundmi i emërtuar thjesht “Për Artin”, kanë përfshirë edhe shpërblimin e cilësisë artistike. Mes artistëve ka pasur pakënaqësira herë të shprehura haptas e herë jo. Rishikimi i fundit i ligjit “Për Artin” parashikon shtesa dhe ndryshime për sa i përket mënyrës së vlerësimit të cilësisë që përkon me nenin 32. Duket se më shumë sesa për institucionet ekzistuese (Teatri Kombëtar dhe Teatri i Operës), këto ndryshime do të shërbejnë për institucionet e reja që parashikohen të ngrihen në bazë të këtij ligji: Teatri i Komedisë, Cirku dhe Qendra Kombëtare e Artit. Gjithsesi, në tryezën e mbajtur të martën në Galerinë Kombëtare të Arteve, drejtoresha e Artit, Moza Sofroni, e ngarkuar për hartimin e këtij ligji, ka theksuar se është e rëndësishme që vlerësimi i cilësisë artistike do rregullohet me një Vendim të Këshillit të Ministrave, që do të zëvendësojë VKM-në e 1993-shit, mbi të cilin veprohej deri më tani. Përfaqësuesit e Sindikatës së Artistëve, por edhe të tjerë të pranishëm në tryezë, e quajtën një hap pozitiv, herë duke menduar edhe buxhete shtesë që do të rrjedhin prej këtij vendimi. “Masa e shpërblimit të gjinive artistike sipas fushave të artit dhe për kontributin e angazhimit të përkohshëm në projektet artistike bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin e përgatitur “Për Artin”. Sofroni shpjegon se është nxituar në hartimin e VKM-ve për shpërblimin e cilësisë artistike, pa pritur kalimin e këtij ligji në Parlament, për shkak të domosdoshmërisë së rregullimit të kësaj pike. “Vlerësimi i cilësisë artistike është parashikuar të bëhet në dy mënyra: Për Qendrën e Artit dhe për konkurset, aktivitetet e mëdha dhe festivalet e traditës që do të mbështeten nga Ministria e Kulturës, shpërblimet për cilësinë artistike do të bëhet sipas preventivit. Duke qenë se ministria ka të bëjë më së shumti me shoqata, atëherë në kërkesën për fond që na vjen së bashku me preventivin, ne do të synojnë të mbështesim kryesisht pagesat e artistëve dhe ndonjë zë, siç mund të jetë ai i promocionit. Nëse më vjen një projekt ku është shënuar që të paguaj këtë, unë them do të marr zërin e promocionit dhe pagesat e artistëve, me qëllim që mbështetja jonë të mos shkojë në zëra të tjerë. Ndërkohë, për institucionet e varësisë do të rregullohet me një udhëzim të ministrit të Kulturës, që u jep të drejtën bordeve që janë vendimmarrëse të përcaktojnë tarifat e shpërblimit, që më pas duhet të miratohen nga ministri. Bordi, i përbërë nga specialistë të fushës, është në gjendje të përcaktojë tarifën korrekte se sa do të marrë solisti i parë apo i dytë. Këto janë raporte shumë specifike, ndaj edhe u janë besuar bordeve”, sqaron Sofroni. Në fakt, në dy institucionet aktuale të varësisë, Teatri Kombëtar dhe Teatri i Operës funksionon thuajse e njëjta formulë. I pyetur për këto ndryshime, regjisori Mihal Luarasi shpjegon se ky vendim është deformuar gjatë këtyre viteve në Teatrin Kombëtar. Sipas tij, deri më tani shpërblimi i cilësisë artistike është bërë nga bordi i institucionit, por mbi një tarifë fikse për rolin e parë apo të dytë që përcaktohej që në fillim të shfaqjes. “Këto tarifa nuk janë objektive, pasi ndonëse flasim “për cilësi artistike”, bordi nuk e shihte realizimin e shfaqjeve e pastaj të vendoste se sa duhet të ishte shpërblimi. Besohet se ndryshimet në ligjin e ri do t’i japin mundësi bordit të gjykojë për shpërblimet, pasi të kenë parë cilësinë artistike të shfaqjes”, thekson Luarasi. Por duket se çështja edhe në këtë mënyrë nuk zgjidhet plotësisht. Ka aktorë që nuk besojnë në vlerësimin objektiv të bordit, të shigjetuar shpesh edhe për cilësinë e veprave që zgjedhin të vënë në skenë. Ndërkohë që brenda vetë institucioneve vazhdon të diskutohet nëse duhet të ketë një organizëm që merr pagë fikse apo aktorë që të vlerësohen në bazë të angazhimit vjetor. Në takimin e organizuar për sugjerime që mund të merreshin parasysh për këtë projektligj e veçanërisht për pikën e shpërblimeve, nuk pati ndërhyrje, veçse u cilësua si një nismë për t’u përshëndetur. Ndoshta zbatimi praktik do të nxjerrë të tjera kërkesa që i mbeten së ardhmes.
#