E Diel, 1 Nëntor 2026

Jurist për 7 mijë euro, arrestohen sekserët e pedagogëve të Drejtësisë

Policia shoqëron disa pedagogë dhe pjesëtarë të stafit të fakultetit. Priten arrestime të reja Mekanizmi për nxjerrjen e diplomave të rregullta brenda dy muajsh

Jurist për shtatëmijë euro. Ky është “mekanizmi” i fundit i vënë në funksion nga katër persona, të cilët janë arrestuar nga policia e kryeqytetit për falsifikim dokumentesh dhe për ndikim ndaj pedagogëve dhe stafit të Fakultetit të Drejtësisë që të nxjerrin diploma për të interesuarit. Prej gati një viti, të arrestuarit e kishin zgjidhur më së miri këtë problem, duke dhënë diploma të rregullta për persona që ishin të interesuar kundrejt pagesës prej shtatëmijë eurosh. Antikorrupsioni dhe Task-Forcë kanë zbuluar dhe dokumentuar pesë raste të tilla, të cilat mund të sjellin edhe arrestimin e pedagogëve dhe anëtarëve të tjerë të stafit në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, aty ku mësohet se si zbatohet ligji dhe si goditen fenomenet dhe veprimet e kundërligjshme.

Arrestimet e para

Drejtoria e Policisë së Tiranës, në një deklaratë për shtyp deklaroi se në kuadër të operacionit policor të koduar “Juristi”, i realizuar nga Seksioni Kundër Korrupsionit, pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Njësinë Taks-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, u bë i mundur zbulimi dhe më pas arrestimi i katër personave. Sipas të dhënave zyrtare, në pranga përfunduan Medat Ruzhdi Kasa 54 vjeç, Anai Ramadan Muça 46 vjeç, Fadil Isuf Gurri 43 vjeç dhe Adriatik Resmi Koçi 45 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe persona të tjerë, bënin të mundur sigurimin e diplomave të Fakultetit të Drejtësisë kundrejt përfitimit të shumës së parave prej shtatëmijë eurosh.

Hetimet për 5 raste

Nga hetimet ka rezultuar se Kasa dhe Muça ishin sekserët e grupit. Ndërkaq, Gurra ishte tregtar në Tiranë dhe që kishte lidhje të ndryshme si me pedagogët, ashtu edhe me njerëz të interesuar për diploma. Ndërsa Koçi ishte përkthyes i gjuhëve të ndryshme si anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Fillimisht ata gjenin studentë, të cilët donin të kishin një diplomë juridiku të rregullt. Në këto kushte, ata falsifikonin dokumentet sikur kishin mbaruar shkollën në vende të ndryshme dhe i dërgonin studentët të bënin derdhjen e kuotës së Fakultetit të Drejtësisë në llogarinë shtetërore. Më pas ata ngrinin në bankë edhe shumën e parave prej shtatëmijë eurosh, me qëllim që kur të jepnin të drejtën, banka t’i transferonte direkt në llogarinë e njërit prej të arrestuarve. Afati për dhënien e diplomës zgjaste rreth dy muaj. Në momentin që të interesuarit merrnin diplomën në dorë, paratë transferoheshin në llogarinë e të arrestuarve.

Pedagogët e dyshuar

Sipas policisë, ky proces realizohej me ndihmën e pedagogëve në Fakultetin e Drejtësisë dhe pjesës tjetër të stafit. Katër të arrestuarit kishin bashkëpunim të ngushtë me ta dhe nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ata arrinin të nxirrnin diploma të rregullta për personat që paguanin shtatëmijë euro, pa pasur nevojë të ndjekin studimet e të konkurrojnë si gjithë të tjerët. Kështu ka ndodhur me pesë rastet e dokumentuara nga seksioni kundër korrupsionit, oficerët e të cilit kanë shoqëruar edhe persona në funksione publike, si pedagogë dhe sekretare, dhe pritet arrestimi i tyre. Strukturat e hetimit të krimit kanë zhvilluar dje kontrolle në banesat e katër të arrestuarve, ku kanë sekuestruar një diplomë të Fakultetit të Drejtësisë të plotësuar, lista notash të plotësuara, shuma prej 7 mijë eurosh dhe një seri dokumentesh të ndryshme, si certifikata, fotografi, dokumentacione pronash dhe vula. Vazhdon kryerja e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimi e arrestimi i personave të tjerë të implikuar. Materialet hetimore së bashku me procedimin penal do i dërgohen Njësisë Taks-Forcë për veprat penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “falsifikim dokumentesh shkollore” dhe “falsifikim i formularëve në bashkëpunim”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›