BE shqetësim për KQZ: Palët përgjegjësi për të siguruar paanshmërinë e administratës elektorale
Bashkimi Evropian u është bashkuar shqetësimeve të faktorit ndërkombëtar për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, që kanë të bëjnë me zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Përmes një komunikate për shtyp dërguar mediave pasditen e së hënës, BE ka kritikuar lëvizjet e fundit të mazhorancës, të cilat sipas tij cënojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor të 23 qershorit.
BE-ja shpreh shqetësim dhe ndan shqetësimet e partnerëve të tjerë lidhur me pasojat e mundshme të votimit në Parlament tek besimi i njerëzve në procesin elektoral, thuhet në komunikatë. Përmes misionit të tij në kryeqytet, Unioni vlerëson më tej se: të gjithë krahët politikë kanë përgjegjësi për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale.
Javën e kaluar ishte zëdhënësi i komisionerit Fyle, Peter Stano, që në një intervistë telefonike për Top-Channel deklaroi qëndrimin e Komisionit Europian ndaj kësaj çështjeje, e cila po ndiqet me shumë shqetësim.
Zoti Stano nënvizoi faktin se sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, organet e administrimit të zgjedhjeve duhen shkarkuar nga detyra në një mënyrë profesionale, të paanshme dhe duhet të funksionojnë pa pengesa, në mënyrë transparente e jo partizane.
Duhet të garantohet pavarësia e KQZ-së, pasi anëtarët e zgjedhur janë betuar të jenë jo të njëanshëm dhe të pavarur. Të gjitha palët politike kanë detyrimin të sigurojnë kredibilitetin e KQZ-së, duke garantuar po ashtu edhe besueshmërinë e këtij komisioni tek publiku, deklaroi Stano.
Zëdhënësi theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vlerësimin që do të japin vendet anëtare të BE-së.
Zgjedhjet, sigurisht edhe fushata elektorale, do të duhet të tregojnë një shenjë tjetër maturie të funksionimit të demokracisë në Shqipëri. E gjitha kjo do të jetë objekt vlerësimi nga vendet anëtare kur ato të marrin një vendim për Shqipërinë, gjatë procesit të negociatave për zgjerim, tha Stano.
15 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
BE shqetësim për KQZ: Palët përgjegjësi për të siguruar paanshmërinë e administratës elektorale burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email