E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, takim i ri për krizën shqiptare. Gati drafti final

Grupi parlamentar i Partive Popullore dhe i Partisë Socialiste Europiane ka diskutuar për tekstin

Kriza politike shqiptare kalon drejt protagonistëve europianë. Ndërmjetësuesit e darkës së Strasburgut kanë zhvilluar ditët e fundit kontakte intensive me njëri-tjetrin, në përpjekje për t’u imponuar para klasës politike shqiptare me një qëndrim të unifikuar. Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur dje për gazetën “Shqip”, se kontaktet kanë përfshirë të dyja palët e përfshira në zgjidhjen e krizës shqiptare, pra si europarlamentarët e partive të majta, ashtu dhe ato të partive popullore. Ky rifillim i dialogut ndërkombëtar për krizën shqiptare në një kohë kur vetëm klasa politike në Tiranë ka zgjedhur rrugën mediatike të komunikimit, dëshmon për faktin se do të jetë edhe njëherë direktiva politike e Brukselit ajo që do t’i drejtojë dy partitë shqiptare drejt një kompromisi mbi të cilin ato sipas gjasave vetëm do të firmosin. Po kështu, sipas burimeve nga qeveria, nënvizohet fakti se angazhimi mes përfaqësuesve të PPE dhe PSE po i përmbahet qëllimit për përpilimin e një drafti të unifikuar, i cili mandej do t’u vihet në tryezë drejtuesve në Tiranë. Teknikisht ky opsion fiton hapësirë, pasi njohja e specializuar e dukurisë shqiptare, por edhe legjislacionit në vendin tonë, është e plotë pas vizitës së ekspertëve të Parlamentit Europian në Tiranë dy javë më parë. Në një gjuhë teknike, “sfida” e debatit që zgjat prej 1 viti në Shqipëri, qëndron tani për zgjidhje në tryezën e përfaqësuesve të lartë europianë. Ndërkohë, në këtë proces komunikimi që synon mbylljen e problemit shqiptar me zgjedhjet, i angazhuar është edhe komisioneri i Lartë për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Stefan Fule, që sipas burimeve pranë PS “po mbahet i informuar”. Ajo që po shfaq më së miri përmasën e krizës dhe lojën që ekipi drejtues në Tiranë po udhëheq pas syve të publiku është lista e personaliteteve të angazhuara. Kështu, udhëtimi i para dy ditëve në Angli i Edi Ramës duket të ketë pasur për qëllim përfitimin e një roli të ish-kryeministrit britanik pranë së majtës europiane apo PE në funksion të mirëkuptimit sa më të gjerë për opsionet socialiste të zgjidhjes së krizës. Simetrikisht edhe e djathta në Shqipëri nuk ka mbetur pas teksa ka përfituar deklarata dhe siguri maksimale se “kriza politike nuk prek liberalizimin e vizave”. Duket se ky lobim në prapaskenë po shkon drejt fundit, qoftë edhe për shkak se fundi i qershorit do ta detyrojë PE-në të miratojë një rezolutë për vendin tonë, përmbajtja e së cilës varet thuajse plotësisht nga kompromisi ende i munguar. “Lajme nga BE priten brenda ditës së premte”, u shprehën burime opozitare për gazetën “Shqip”. Kjo panoramë që riaktualizon përmes distancës kohore fërkimet që kulmuan me grevën e urisë, bën të qartë se edhe ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar nuk e anashkalon provën e forcës mes dy grupeve vendimmarrëse në Shqipëri. Mbështetja reciproke për njërën apo tjetrën palë, po orientohet drejt nevojës për zgjidhjen e krizës dhe sigurimin e perspektivës së integrimit të vendit tonë, që është pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes së BE-së. Jo më kot ritmi i angazhimit të ndërmjetësuesve europianë vjen pak ditë pas Samitit të Sarajevës, që nënvizoi rolin e BE-së në trajtimin e Ballkanit Perëndimor dhe datës 22 qershor, kur një rezolutë e PE-së për Shqipërinë do të regjistrojë një qëndrim me rëndësi në këtë drejtim.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›