Librat shkollorë, 10 ditë afat për shtëpitë botuese
Shtëpitë dhe entet botuese kanë vetëm 10 ditë kohë për t’u paraqitur bordeve rekomanduese, librat që, sipas tyre duhet të jenë pjesë e librarive të shkollave. Afati për dorëzimin e listës së librave, që sugjerojnë shtëpitë botuese duhet të bëhet maksimumi deri më datë 20 qershor. Ky ka qenë urdhri më i fundit i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Duke nisur nga dje, entet jo vetëm që duhet të kenë përfunduar përzgjedhjen e librave, por duhet që paralelisht t’i dorëzojnë ato pranë komisioneve përkatëse të shkollave të arsimit parauniversitar. Këto të fundit, pasi të kenë në dorë listimin e librave të propozuar, do të shqyrtojnë me kujdes secilin prej tyre. Pas kësaj, bordet do të bëjnë përzgjedhjen përfundimtare të teksteve që do të përfshihen në bibliotekat e shkollave nëntëvjeçare dhe ato të mesme. Por jo vetëm kaq, entet që do të kërkojnë të hyjnë në konkurrim për t’u sugjeruar bordeve “produktin” e tyre, duhet të përmbushin disa kritere, të cilat janë parashtruar në një urdhër të mëparshëm të Ministrisë së Arsimit. Një nga pikat që spikat në urdhër është edhe kushti, që për botimet e përkthyera bordet do të preferojnë përkthimin nga gjuha origjinale.
“Për botimet e përkthyera, bordet do të preferojnë përkthimin nga gjuha origjinale”, thuhet në urdhër. Sipas udhëzimit të ministrit Tafaj, bordet do të shqyrtojnë botime të ofruara vetëm nga shtëpitë dhe entet botuese. Po ashtu, sipas pikave të urdhrit, literatura e ofruar për nxënësit duhet të jetë e përshtatshme për grupmoshën që i referohet, si dhe me programin mësimor të klasave 1-12.
RekomandimiShtëpitë dhe entet botuese do të rekomandojnë në vazhdim se cilat lëndë duhet të përfshihen në bibliotekat e shkollave në arsimin parauniversitar. Përzgjedhja e lëndëve do të bëhet në bazë të disa kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Më pas, bordet e këtyre institucioneve do të shqyrtojnë propozimet e bëra nga shtëpitë botuese dhe do të vendosin nëse ato lëndë do të përfshihen ose jo në programet mësimore. Në udhëzimin e mëparshëm sqarohet se krijimi i bordeve këshilluese do të ndihmojë në pasurimin e bibliotekave me lëndë që përbëjnë vlerë dhe që nxisin përmirësimin e nivelit të nxënësve. Kjo do të thotë që çdo shkollë e arsimit parauniversitar do të zotërojë dy borde rekomanduese, që do të përzgjedhin literaturën që do të përfshihet në bibliotekat e tyre.
Bordetçdo bord që është krijuar në këto institucione, karakterizohet nga funksione specifike. Bazuar në urdhër, bordi i parë synon t’u rekomandojë shkollave literaturë shkencore dhe didaktike për bibliotekat e tyre, ndërsa i dyti, do t’u këshillojë përfshirjen e lëndëve efikase në fushën artistike dhe atë shoqërore. Bordi i parë ka për qëllim shqyrtimin e botimeve didaktike dhe atyre me vlera të karakterit formues e edukues, në fushën e lëndëve me profil shkencor. Ndërsa i dyti do të marrë në shqyrtim literaturën artistike me vlera të spikatura letrare, si dhe botimet me vlerë studimore në fushën e lëndëve shoqërore. Kjo, sipas Ministrisë së Arsimit, vlen sidomos për pasurimin e bibliotekave të shkollave të sistemit nëntëvjeçar, por edhe për përmirësimin e programit aktual mësimor.
#