E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, letër Ramës për sheshin: Kaos në trafik, na duhet zgjidhje

Zgjidhja Bashkia e Tiranës përgjigjet pas lutjes: Trafiku nuk ka asnjë rëndim jonormal

Trafiku në rrugët e Tiranës e ka detyruar policinë e Tiranës t’i kërkojë ndihmë bashkisë për bashkëpunim në zgjidhjen e këtij problemi, për shkak të punimeve që po kryhen në sheshin “Skënderbej”. Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, që ka deklaruar se “nuk rezulton se trafiku është rënduar në Tiranë. Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj, i ka dërguar një letër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ku i deklaron se konstatohet kaos në lëvizjen e mjeteve sidomos në segmentet që kanë lidhje me qendrën. “Në vijim të komunikimeve të mëparshme, ju sjellim në vëmendje se policia e kryeqytetit ka bërë përpjekje maksimale për zbatimin e skemës së re të trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, duke planifikuar shërbime shtesë në të gjitha pikat kyçe të këtij plani. Me gjithë masat e marra nga shërbimet e policisë, konstatohet kaos i lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve, në të gjitha segmentet rrugore që kanë lidhje me sheshin kryesor”, deklaron në letrën e tij kreu i Policisë së Tiranës. Më tej, ai ka përmendur edhe të gjitha rrugët ku vërehet ky trafik, duke numëruar tetë të tilla, të cilat janë edhe më të rëndësishmet në Tiranë për t’u lidhur me qendrën e saj. Më tej, numri një i Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka deklaruar për kryetarin e bashkisë, se bllokimi i sheshit “Skënderbej” ka cenuar rëndë situatën e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, gjë e cila është evidentuar gjatë gjithë këtyre ditëve, ku si pasojë e devijimeve të trafikut, shumë kryqëzime dhe rrugë kanë marrë një ngarkesë tej normave dhe të pa përballueshme nga shërbimet e policisë. Më tej, Vocaj shtoi se vazhdimi i zbatimit të kësaj skeme do të përkeqësojë më tej situatën e trafikut rrugor në qytet, si dhe jetën normale të qytetarëve. I nderuar Zoti Kryetar, duke përsëritur shqetësimin në lidhje me situatën aktuale të trafikut në qytetin e Tiranës, ofrojmë të gjithë ekspertizën profesionale dhe bashkëpunimin tonë në kërkim të një zgjidhjeje të problemeve të shkaktuara nga zbatimi i skemës së trafikut të kërkuar nga autoritetet e Bashkisë së Tiranës”, shprehet Vocaj, por nga ana tjetër ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës. Ajo i mohoi pretendimet e drejtorit të policisë së kryeqytetit për bllokimin dhe futjen në kaos të trafikut rrugor në qytetin kryesor të vendit. Bashkia e Tiranës është shprehur e habitur me letrën në fjalë. “Trafiku nuk ka asnjë rëndim jonormal dhe ky është tashmë një problem i zgjidhur pas bashkëpunimit me policinë”, kanë thënë burime zyrtare të bashkisë. Sipas tyre, skema e re e trafikut rrugor në kryeqytet është duke funksionuar çdo ditë e më mirë. Prej ditësh gjendja e trafikut rrugor në Tiranë është rënduar për shkak të ndalimit të lëvizjes në njërin krah në sheshin “Skënderbej” për shkak të punimeve që po kryhen nga bashkia, në zbatim të planit të ri për qendrën e kryeqytetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›