BE, vendimi për të ndihmuar Greqinë merret të hënën
Ministri gjerman i Financave u shpreh se nuk ishte në dijeni të ndonjë lloj marrëveshjeje të bërë nga shtetet e Eurozonës për ta ndihmuar Greqinë në krizën e borxheve, ndërsa një funksionar i lartë i Bashkimit Europian u shpreh se një marrëveshje e tillë nuk është përfunduar ende. Deklaratat pasuan raportimin e bërë nga anglezja “Guardian”, sipas së cilës një ndihmë prej 25 miliardë eurosh ishte miratuar si pjesë e paketës për të ndihmuar në shpëtimin e Greqisë. Kështu, zëdhënësi i Bashkimit Europian u shpreh se 16 vendet e Eurozonës kanë rënë dakord për një “ndihmë që të koordinojnë kontributet bilaterale”, në formën e kredive apo garancive nëse Athina nuk do të ishte në gjendje të rifinanconte borxhin e saj dhe për këtë do të kërkonte ndihmën e Bashkimit Europian. I pyetur nëse është arritur marrëveshja për një ndihmë financiare për Greqinë, zëdhënësi i Komisionit Europian, Jonathan Todd, tha: “Komisioni është i gatshëm të veprojë nëse është e nevojshme. Deri tani asgjë nuk është përfunduar. Ato çka thuhen, janë thjesht spekulime”. Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Financave tha se nuk e besonte që raportimi i gazetës britanike të ketë qenë i saktë. “Ne nuk jemi në dijeni të asaj çka thuhet. Greqia është duke vënë në punë programin e saj dhe ne presim që ajo ta menaxhojë situatën e vetme”, tha ai, duke shtuar se Greqia akoma nuk ka kërkuar ndonjë ndihmë. Krerët e Eurozonës prej kohësh kanë diskutuar për çështjen e një ndihme financiare për Greqinë, por deri tani nuk është marrë ndonjë vendim për shumën që mund t’i caktohet asaj. Sipas burimeve të “Guardian”, ndihma mund të kapë shifrën e 25 miliardë eurove, edhe pse sipas vlerësimeve që i është bërë nevojës që ka Greqia, këtij vendi do t’i duheshin 55 miliardë euro për të dalë nga situata e kolapsit, deri në fund të vitit. Gjermania, vendi më i fuqishëm i Bashkimit Europian dhe më i pasuri, por njëkohësisht edhe më i tërhequri për sa i përket vendimit për të dhënë para për Greqinë, një vend që ka jetuar jashtë mundësive të veta, duke gënjyer vazhdimisht në lidhje me situatën e vërtetë të buxhetit, ka luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin dhe formulimin e paketës në fjalë. “Ministrat e Financave të Eurozonës, duhet të bien dakord mbi principet dhe parametrat e ndihmës financiare, por nuk do të flasin për shifra pa pasur ndonjë kërkesë nga Athina”, tha një zyrtar i BE-së për “Reuters”. Rregullat që do të drejtojnë operacionin për shpëtimin e monedhës së përbashkët parashikojnë një paketë ndihme financiare për një vend që është në prag të falimentimit. Berlini, në mënyrë të veçantë, ka qenë shumë i shqetësuar në lidhje me mundësinë se çdo vendim i qeverisë për ta ndihmuar financiarisht Greqinë, mund të hidhet në Gjykatën e Lartë. Komisioni Europian, së bashku me paketën e ndihmës financiare, është duke punuar edhe për hartimin e rregullave më të ashpra dhe më strikte në lidhje me funksionimin financiar të Eurozonës.
#