E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet rrjeti shpërndarës, ndotet uji i pijshëm

Berat Me gjithë masat që janë marrë për klorinimin e ujit, sërish ai vjen i ndotur me përmbajtje balte

Dëmtimet që ka pësuar rrjeti shpërndarës i ujit të pijshëm nga vendburimi i Bogovës drejt qytetit të Beratit, ka bërë që uji që vjen në çezmat e qytetarëve të jetë tejet i ndotur. Qytetarët kanë parë se gjatë pasdites së të premtes dhe paradites së të shtunës, uji ka qenë me përmbajtje dherash. Problemi pohohet edhe nga specialistët pranë Drejtorisë së Higjienës në këtë qytet. Nga analizat që i janë bërë kampioneve të ujit të pijshëm në disa pika të ndryshme të këtij qyteti ka rezultuar se uji është i ndotur me përmbajtje dherash dhe si i tillë nuk duhet konsumuar. Qytetarët janë njoftuar nëpërmjet medias lokale që të mos konsumojnë ujin e çezmave për përdorim të përditshëm, por vetëm për shërbime dytësore deri në një urdhër të dytë. Por, me gjithë masat që janë marrë për klorinimin e ujit, sërish ai vjen i ndotur me përmbajtje balte. Qytetarët ankohen se e kanë të papërballueshme financiarisht të konsumojnë ujë të ambalazhuar, ndërkohë që burime pranë Drejtorisë së Ujësjellësit në këtë qytet bëjnë me dije se ndotja e ujit të pijshëm vjen si pasojë e dëmtimeve të shumta që ka pësuar tubi përcjellës nga vendburimi i Bogovës drejt qytetit të Beratit. Si pasojë e shkarjeve të dherave, tubi i ujit të pijshëm është dëmtuar në disa segmente dhe me gjithë masat për riparimin e dëmeve dherat që kanë përfunduar në tubacion kanë shkaktuar ndotjen e ujit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›