E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinezët, 350 milionë euro për minierën e Kalimashit

Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri Ligji i ri për koncesionet dhe raportet me OSSH-në

Sektori i energjisë në vend po shihet me mjaft interesa nga të huajt, për shkak të burimeve natyrore, ndërsa Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po vlerëson ndryshimin e ligjit për koncesionet. Në një intervistë për “Shqip”, zv.ministri Leonard Beqiri paraqet situatën aktuale me koncesionet në hidrocentrale, fitimet e vendit si dhe projektet e ardhshme, ku nuk mungon strategjia e kinezëve për të investuar 350 milionë euro në miniera. Gjithashtu, Beqiri bëri një ekspoze të shkurtër të raporteve mes METE-s dhe OSSH-së, të cilat duken me “përplasje” për shkak të çmimit dhe faturimit të dritave.

Z. Beqiri, jo vetëm ekonomistët, por dhe shumë sipërmarrës i kanë kthyer sytë nga koncesionet në ekonomi, sidomos në energjetikë. Si po ecin ato?

Koncesionet janë domosdoshmëri për ekonominë shqiptare. Këtë e ka treguar ndihmesa që ato i kanë dhënë sistemit energjetik në Shqipëri. Për momentin, janë të licencuar rreth 87 hidrocentrale të kategorive të ndryshme, të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj (me kapacitet prodhues mbi 15 megavat). Janë 36 prej tyre që po funksionojnë, prodhojnë dhe kanë një marrëveshje me KESH-in për të futur energjinë e tyre në sistem. Rreth 84 milionë kilovat/orë prodhohet nga hidrocentralet koncesionare. Shumica e tyre janë në pronësi të biznesit vendas. Por ndërkohë shumë investues të huaj janë shprehur të gatshëm të lidhin marrëveshje koncesionare me ne për hidrocentralet.

Sa i garanton këta investues baza jonë ligjore për koncesionet?

është hartuar një paketë ligjore. Për përgatitjen e saj kanë marrë pjesë specialistët më të mirë të energjetikës që kemi: specialistë në ministri, nga institucionet vartëse, specialistë të KESH-it, të OST-së, profesorë dhe specialistë të pavarur që nuk janë të angazhuar në shtet. Mendimi ka qenë i të gjithëve. Vetë ligji, ndërhyrjet për përmirësimin e tij kanë pasur dialog të gjerë, si dhe konsulencë me specialistë të huaj. E gjitha kjo ka ndihmuar që sot koncesionet në një kohë të shkurtër të jenë një pikë dominuese dhe zhvilluese për ekonominë e vendit.

A ka ardhur koha ta rishikoni ligjin “Për Koncesionet?

Një grup pune që drejtohet nga DPE ka nisur procedurat për rishikim të paketës ligjore për energjinë. Qeveria italiane ka afruar konsulencën në hartimin e bazës ligjore për energjitë e rinovueshme. Bëhet fjalë për njehsimin dhe përafrimin e Certifikatave të Gjelbra me vendet e rajonit sipas Direktivave të Komisionit Europian për energjitë e rinovueshme. 98% e energjisë që prodhon vendi ynë është energji e rinovueshme, e gjelbër, ku 97% e saj është energji ujore. Ndërkohë Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për energjinë eolike, të erës. Kompani italiane, gjermane dhe greke janë të interesuara dhe kanë bërë matje të shpejtësisë së erës në zona të ndryshme të vendit. Sidomos kjo shpejtësi rezulton e kënaqshme në të gjithë bregdetin tonë (nga 7-9 m/s), nga Ishmi në Karaburun. Kompania italiane “Moncada” ka bërë gati projektin, i cili është miratuar për një park eolik të prodhimit të energjisë me fuqi 500 megavat në zonën e Karaburunit, në Malin e Lugarës dhe në Llogora. është një fuqi shumë e madhe. Janë dhënë për këtë 7 leje koncesionare. Efikasiteti i këtyre investimeve dhe përputhshmëria me kërkesat për ruajtjen e mjedisit arrijnë në masën 80%. Nga ana tjetër, kemi investues të huaj të interesuar për energjinë diellore në Shqipëri. Kushtet për të përmbyllur këto kontrata koncesionesh janë optimale për investuesit. Për shembull, në Serbi sot shteti garanton investuesit për 12 vjet. Te ne investuesit në energjetikë i garantohet blerja e energjisë nga shteti për 15 vjet radhazi. çmimet po ashtu janë gjithmonë të garantuara. Ministri Prifti dhe stafi i tij kanë zhvilluar takime të shumta këto kohë me bankat e huaja dhe të vendit, me investues ekzistues dhe potencialë për t’i garantuar, për t’u marrë mendimin ku duhet të ndërhyjmë me bazën ligjore, në interes të zhvillimit të biznesit të koncesioneve. Investimi në hidroenergji tek ne sot është shumë fitimprurës, pse të investosh kapitalin aty sot, brenda shtatë viteve merr atë që ke hedhur. Pra, të kthehen shpenzimet e kryera. Dhe të ngelen tetë vite të tjera për të realizuar fitimin.

Për ne është e rëndësishme të arrijmë të shfrytëzojmë të gjitha burimet ujore të vendit, në të katër anët e Shqipërisë. Janë bërë dhe po bëhen studime në radhë të parë për të ruajtur mjedisin, për të shmangur rrëshqitjet e dheut, dëmtimet në bujqësi etj.

Sa e rrisin punësimin koncesionet në hidroenergji? A ka ndonjë kusht investuesi për të punësuar njerëz?

Punësimi varet nga madhësia e investimit. Në rast se hidrocentrali është 1-2 megavat, mund të ketë 4-6 punëtorë. Ka projekte që planifikojnë marrjen e përhershme në punë të mbi 50 vetave. Sigurisht, gjatë ndërtimit të veprës punësimi rritet me herë, pse firmat e ndërtimit marrin përkohësisht punonjës lokalë. Ka filluar puna konkrete në hidrocentralin e Ashtës, po ashtu dhe në Devoll dhe në Kalivaç. Mendohet të procedohet me shpejtësi dhe investimet brenda dy vitesh të kryhen. Sigurisht, mund të ketë shkaqe natyrore, rrëshqitje dheu, fatkeqësi të tjera natyrore (për më tepër, me këtë mot të sotëm). Këto mund ta ngadalësojnë punën disi. Por të gjitha këto janë parashikuar në kontratën koncesionare. Ecuria e kontratave vëzhgohet dhe kontrollohet me rreptësi, për t’i prerë rrugën abuzimeve që mund të bëhen me lejet koncesionare. Në dhjetor të vitit të kaluar, ministri Prifti ngriti një grup pune pikërisht për këtë. Grupin e drejtoj unë. Kemi 13 nëngrupe dhe kontrollin nuk e bëjmë të përkohshëm, por do të jetë në vijimësi. Vetë Kryeministri Berisha është shprehur se nuk do të lejojë asnjë ta përdorë lejen e koncesionit si letër me vlerë. Sa herë do të kemi raste të vërtetuara abuzimesh, ne do të kundërveprojmë. Shteti garanton koncesionin dhe investuesin, por kur punohet në interes të ekonomisë së vendit.

Sapo dhatë dy koncesione të reja për minierat. Të bie në sy se njërin koncesion e ka marrë një firmë kineze. Më në fund ekonomia e dytë më e madhe në botë po provon të investojë në Shqipëri. Sa e rëndësishme është kjo?

Ardhja para pak kohësh e zëvendëskryeministrit kinez në Tiranë nuk ishte thjesht për të nënshkruar një marrëveshje. Vetë shteti shqiptar dhe pasuritë tona natyrore janë bërë tërheqës për investuesit e huaj, qofshin këta edhe kinezët. Ata u shprehën të gatshëm dhe me këmbëngulje synuan të merrnin pjesë dhe e fituan tenderin që u zhvillua për marrjen me koncesion të minierës së kromit të Kalimashit. Bëhet fjalë për një investim afatgjatë shumë të madh. Kinezët parashikojnë rreth 350 milionë euro. Shqipëria dallohet për kromin. është vendi i katërt në botë nga sasia e rezervave, por dallohet edhe për nga cilësia e mineralit. Minerali i kromit shqiptar është ndër më të mirët në botë. Firma kineze, në planin e saj të biznesit, garanton sigurimin e jetës së punëtorëve në minierë, përdorimin e një teknologjie moderne dhe një pagë të lartë për punëtorët. Pra, me këtë koncesion, sigurojmë jo vetëm rivënien në punë të minierës së Kalimashit, por edhe ringjalljen e fabrikës së pasurimit të kromit, që do të jetë një strukturë moderne dhe efikase.

Mund të marrin pjesë bankat në koncesione?

Jemi të hapur dhe ftojmë të gjithë. Bankat kanë specialistët më të mirë. Shteti shqiptar i fton dhe i mirëpret bankat e vendit apo të huaja që të investojnë. Këtë e them me bindje. Deri tani, në koncesionet që kemi dhënë, bankat janë pjesë e tyre me kreditë që kanë dhënë. E përsëris, jemi të hapur për të ndihmuar dhe bashkërenduar punën, për të sqaruar çdo pyetje apo dyshime që bankat mund të kenë për dhënien e koncesionit të një hidrocentrali apo një leje minerare. Jemi gati të diskutojmë me bankat dhe cilindo për të dhënë zgjidhjen më të mirë në interes të investimit, të realizimit dhe ecjes përpara të koncesionit.

A ka një luftë bërrylash mes jush si ministri dhe OSSH-së?

Jo. Nuk bëhet kurrsesi fjalë për luftë bërrylash. Kemi një investues të huaj, kompania çeke CEZ që erdhi dhe ka blerë 76% të aksioneve të OSSH-së. Përballë është shteti shqiptar, Ministria e Ekonomisë që është gjithmonë në mbrojtje të konsumatorit, të shtetasit. Pra, kemi shtetin, ligjin dhe investuesin privat nga ana tjetër. Ne na intereson që të zbatohet marrëveshja e privatizimit të OSSH-së pikë për pikë. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të ketë abuzime me çmimin, me faturën. Konsumatori duhet të paguajë atë që ai konsumon, asnjë lek më tepër. Kjo është ajo që ne kërkojmë. Për këtë kemi ngritur grupet e punës, në bashkëpunim me Entin Rregullator të Energjisë. Do të kontrollohen të gjithë matësit dhe ku është fatura më shumë, konsumatori do të dëmshpërblehet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›