E Shtunë, 31 Tetor 2026

BEDËR, liria e medias dhe sfidat e gazetarëve

Fillimisht moderatori, z. Ramadan Çipuri, bëri një pasqyrim të situatës së lirisë së medias në Shqipëri duke përmendur statistikat dhe raportet e fundit të cilat e rendisin venin tonë të parafundit në rajon duke lënë pas vetëm Maqedoninë, si dhe ngriti shqetësimin e ndikimit të raportimit nga interesat politike dhe ekonomike.

Ndërkohë analisti Lutfi Dervishi foli lidhur me atë se sa etikë janë reporterët dhe gazetarët e sotëm. Ai risolli në vëmendjen e pjesëmarrësve Kodin e Etikës, i cili përcakton qartë rolin e shtypit në shoqëri.

“Në Shqipëri, faqja e parë do të thotë të kesh sa më shumë tituj dhe etika është gjëja e fundit që i bie ndër mend personit të ngarkuar me botimin e gazetës. Etika tek ne shërben vetëm për mbrojtjen nga ligji, që mos të hasen probleme me ligjin. Përpjekja për të kopjuar gazeta si 'New York Times' është një dështim. Ajo që siguron etikë të brendshme është: niveli i pagës, konkurrenca e ashpër dhe etika e redaksisë”, theksoi z. Dervishi. Ai shtoi se realiteti i medias shqiptare nuk është ashtu siç e mendojnë studentët e gazetarisë, por është edhe më i ashpër.

Drejtuesi  i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, ngriti si problemin më shqetësues kushtet në të cilat gazetarët ushtrojnë profesionin e tyre, pa kontrata dhe të pa mbrojtur nga ana juridike. “Gazetaria dominohet nga kaosi, anarkia. Në mediat tona ka shumë rivalitet apo konkurrencë, por dhe kushtet në të cilat punojnë gazetarët lënë vërtet për të dëshiruar si nga ana financiare ashtu edhe nga ana e mbrojtjes nga ligji. Sot kemi shumë media dhe shumë gazetarë të punësuar, por ana e zymtë e medaljes është vonesa në dhënien e pagave të gazetarëve”, tha ai.

Çipa përmendi si shembuj ilustrues rastet e gjyqeve ndaj gazetarëve përgjatë këtyre 20 viteve të fundit dhe faktin se vendi ynë nuk ka arritur të ndërtojë një ndërgjegje kombëtare të reagimit dhe të protestimit. “Kjo ka ndodhur për shumë arsye. Së pari kemi besuar shumë tek vetja dhe tek realiteti ynë dhe së dyti, nuk kemi mundur të sensibilizojmë këtë ndërgjegje të reagimit. Ne jemi vendi që nuk kemi asnjë protestë e asnjë grevë kombëtare”, u shpreh ai.

Ndërsa filozofi Artan Fuga, shef i Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, trajtoi çështjen e sfidave të gazetarisë në kushtet e transformimit teknologjik. “Ne nuk mund të hyjmë në një rreth vicioz shumë të rëndësishëm që diskutohet sot në perëndim. Ne nuk mund të dalim nga kriza me konceptet e krizës. Jemi në një revolucion teknologjik dhe duhet të kemi një revolucion të mendimit”, u shpreh Profesor Fuga.

Më tej ai shtoi se “nuk është çështja të mendohet si një sfidë përpara të drejtave që duhen mbrojtur, por shpeshherë me pushtetin mund të përballesh duke propozuar një revolucion teknologjik që po transformon marrëdhënien e pushtetit me informacionin. Vërtetë pushteti bën presion, por ka dhe një politizim të medias për shkak të krizës financiare.” /Start/

                                                                                             2012-05-03 16:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›