E Diel, 1 Nëntor 2026

BEI, 10 milionë euro kredi për bizneset e vogla dhe të mesme



Banka Evropiane për Investim do të disbursojë një kredi prej 10 milionë eurosh, që do të shërbejë për të ndihmuar me kredi të buta bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri. Kjo kredi do të lëvrohet nëpërmjet “Tirana Bank” dhe për këtë arsye është nënshkruar me BEI. Sipas marrëveshjes, kësaj pjese të ekonomisë shqiptare do t’i vihet në dispozicion një shumë prej 10 milionë eurosh. “Tirana Bank” do të jetë banka shqiptare që do të realizojë financimin e sipërmarrjeve të vogla e të mesme nëpërmjet kreditimit

Biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri do të gjejë mbështetje nga “Tirana Bank”, për të investuar në zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit të tyre. “Tirana Bank” dhe Banka Evropiane për Investim do të jenë ato që do të mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri. “Tirana Bank” ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Bankën Evropiane për Investim, që do t’i hapë rrugën një mbështetjeje më të gjerë sipërmarrjeve të vogla e të mesme. BEI i ka dhënë një kredi prej 10 milionë eurosh për zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, e cila do të lëvrohet nëpërmjet “Tirana Bank”. Marrëveshja u nënshkrua nga z. Dimitris Santixis, drejtor i Menaxhimit të “Tirana Bank” dhe z. Domenique Courbin, drejtor i Departamentit për Zhvillimin e Kredisë në Bankën Evropiane për Investim. Të pranishëm gjatë kësaj ceremonie ishin edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, zëvendësdrejtori i “Pirreus Group”, z. Ilias Milis dhe z. Ferran M. Minguella, specialist kredie. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, sektori i sipërmarrjeve të vogla e të mesme do të përfitojë një mbështetje të gjerë financiare për të zhvilluar projektet e tyre. Sipas marrëveshjes, kësaj pjese të ekonomisë shqiptare do t’i vihet në dispozicion një shumë prej 10 milionë eurosh. “Tirana Bank” do të jetë banka shqiptare që do të realizojë financimin e sipërmarrjeve të vogla e të mesme nëpërmjet kreditimit. Gjatë kësaj ceremonie, z. Dimitris Santixis, drejtor i Menaxhimit të “Tirana Bank”, tha se “kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme që na jep një mundësi më shumë për të mbështetur sektorin privat në Shqipëri. Ne kemi qenë një ndër bankat që ka vazhduar të mbështesë sektorin privat në vend dhe nëpërmjet kësaj marrëveshjeje “Tirana Bank” do të ketë mundësinë të financojë akoma edhe më shumë ekonominë shqiptare. Ne jemi të lumtur që Banka Evropiane për Zhvillim na ka konsideruar si një partner të besueshëm dhe serioz për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”.

Ndërsa Domenique Courbin, drejtor i Departamentit për Zhvillimin e Kredisë në Bankën Evropiane për Investim, theksoi rolin e rëndësishëm që ka sektori i sipërmarrjeve të vogla e të mesme në zhvillimin e ekonomisë. Ai u shpreh mjaft i lumtur për gjetjen e bashkëpunimit me “Tirana Bank”, duke theksuar se kjo është hera e parë që Banka Evropiane për Zhvillim krediton një ent privat. Z. Courbin e cilësoi “Tirana Bank” si një partner serioz që ka një pozicion të fortë në Shqipëri, që ka treguar përherë kujdes të veçantë në kreditimin e bizneseve. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, theksoi rëndësinë që ka kjo marrëveshje në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë tani që kriza ekonomike në Shqipëri mund të konsiderohet e kaluar. “Unë jam i lumtur që jam i pranishëm në firmosjen e një marrëveshjeje kaq të rëndësishme midis një banke shumë serioze dhe të rëndësishme në Shqipëri, por dhe në rajon, siç është “Tirana Bank” dhe Bankës Evropiane për Investim. Kjo është ndoshta një shumë simbolike që i vihet në dispozicion bizneseve të vogla dhe të mesme, por ajo përbën një hap të rëndësishëm, pasi i hap rrugën edhe marrëveshjeve të tjera në të ardhmen me EIB, që vetëm do të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë sonë”, - tha ai gjatë ceremonisë.

E pranishme që në vitin 1995 në Shqipëri, Banka Evropiane për Investim ka mbështetur vetëm sektorin publik nëpërmjet projekteve të ndryshme të financuara prej saj. Kjo është hera e parë që Banka Evropiane për Investim krediton sektorin privat në Shqipëri me firmosjen e kësaj marrëveshjeje me “Tirana Bank”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›