Fier, biznesi kërkon miratimin e projektligjit mbi Gjykatat Administrative
“Është koha që Parlamenti të miratojë ligjin për Gjykatat Administrative!”. Ky ishte mesazhi i tryezës së rrumbullakët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile të organizuar në Fier nga Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative, me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II (MÇA2), një marrëveshje dyvjeçare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit dhe e administruar nga USAID. Koalicioni, i zgjeruar tashmë me 34 anëtarë, ndër të cilët përfshihen organizata që përfaqësojnë të gjithë komunitetin e biznesit dhe shoqata të shoqërisë civile në Shqipëri, është angazhuar në një fushatë të gjerë për të informuar mbi projektligjin që do të bëjë të mundur ngritjen e Gjykatave Administrative, si dhe për të angazhuar të gjithë aktorët e interesuar në mbështetje të miratimit të tij sa më të shpejtë nga Parlamenti. Në diskutimet në tryezën e rrumbullakët në Fier u vënë në dukje përparësitë që do të ofrojë sistemi i Gjykatave Administrative për të shmangur zvarritjet dhe eliminuar problemet që ndesh biznesi dhe qytetarët shqiptarë në zgjidhjen e çështjeve administrative që kanë të bëjnë, ndër të tjera, dhe me punësimin në institucionet shtetërore, prokurimet publike, tatimet, doganat, pensionet, regjistrimin dhe licencimin e biznesit, regjistrimin e pasurive të patundshme, apo dhe kthimin e kompensimin e pronave, duke u bërë një mekanizëm i efektshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të të gjithë qytetarëve në këto çështje. Ndër risitë e projektligjit, i cili është përgatitur nga me ndihmën e eksperteve nga Bashkimi Evropian dhe përfshin gati të gjitha rekomandimet e bëra nga ekspertët e qeverisë, të opozitës dhe nga ekspertë të huaj, në tryezë u evidentua fakti që, në çështjet administrative, ai e vendos shtetin dhe qytetarët (individë, biznes dhe organizata të tjera), në pozita të barabarta, duke e kaluar barrën e provës mbi institucionet shtetërore; shkurton kohën për gjykimin e këtyre çështjeve nga një mesatare ekzistuese prej 130 ditësh në Gjykatën e Shkallës së Parë në një maksimum prej 60 ditësh; shkurton në 10 ditë kohën për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave Administrative, si dhe u njeh atyre kompetencën për të ekzekutuar vendimet e veta, nëse institucionet shtetërore nuk e bëjnë këtë në kohën e duhur. Tryeza në Fier vijon ato në Kukës, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Lezhë, Korçë, Elbasan, Durrës, Berat dhe Vlorë. Tryeza e ardhshme e Koalicionit në Përkrahje të Gjykatave Administrative do të organizohet në Tiranë, të martën, më 15 dhjetor.