E Shtunë, 31 Tetor 2026

BEI, 35 milionë euro për bypas-in e Fierit

Nga takimi i Kryeministrit me përfaqësuesit e BEI

Është nënshkruar dje marrëveshja që i mundëson Shqipërisë një kredi prej 35 milionë eurosh, dhënë nga Banka Europiane e Investimeve për ndërtimin e bypas-it të Fierit. Për qeverinë shqiptare nënshkroi ministri i Financave, Ridvan Bode, ndërsa për Bankën Europiane zëvendëspresidenti i kësaj banke, Dario Scannapieco. Ministri Bode u shpreh dje lidhur me rëndësinë që ka ndërtimi i bypass-it të Fierit si një hallkë shumë e nevojshme për korridorin veri-jug. Kredia e dhënë nga BEI u vlerësua si një kredi me kushte mjaft favorizuese, pasi 35 milionë eurot janë marrë me një afat maturimi prej 20 vitesh, ku për 7 vitet e para nuk do të paguhet principal. Projekti i bypass-it të Fierit, i cilësuar si një prioritet nga qeveria shqiptare, parashikon ndërtimin e një bypass-i rrugor të tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit me gjatësi afërsisht 22 km.
Berisha
Përfaqësuesit e BEI-t i ka takuar dje edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili e falënderoi Bankën për mbështetjen e një sërë projekteve të rëndësishme në vendin tonë në sektorin energjetik. Nga ana tjetër ai e ftoi këtë bankë për të financuar edhe më tej sektorin privat për plane biznesi të suksesshme. Një ndër pikat ku kreu i Ekzekutivit tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve të Bankës Europiane të Investimeve ishte ajo e përfshirjes në një projekt të rëndësishëm që aktualisht është në diskutim, gazsjellësi TAP. Forcimi i rrjetit të transmetimit është një tjetër fushë e rëndësishme për tu konsideruar nga BEI, sidomos linja e transmetimit Itali-Shqipëri, ku qeveria shqiptare është përgatitur të hyjë në formën e partneritetit publik privat, tha Kryeministri lidhur me projektin e gazsjellësit.

Kush do ta financojë bypass-in
Bypass-i i Fierit është parashikuar që ti kushtojë qeverisë shqiptare gati 81.2 milionë euro. Sipas Ministrisë së Financave, ai realizohet si bashkëfinancim i BEI-t dhe BERZH-it me nga një kredi prej 35 milionë euro secila, Kooperacionit Italian, me një grant prej 1.8 milionë eurosh, dhe qeverisë shqiptare, me një kontribut prej 9.4 milionë eurosh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›