E Hënë, 2 Nëntor 2026

BEJRUT – Barrack: Izraeli të respektojë armëpushimin, Libani çarmatos Hezbollahun

BEJRUT, 18 gusht /ATSH –AFP/ – I dërguari amerikan Tom Barrack i bëri thirrje sot Izraelit të respektojë angazhimet në kuadër të armëpushimit, që i dha fund luftës me Hezbollahun, pasi qeveria libaneze nisi një proces për çarmatimin e grupit militant.

“Gjithmonë ka një qasje hap pas hapi, por mendoj se qeveria libaneze e ka bërë pjesën e saj. Ata kanë ndërmarrë hapin e parë. Tani çfarë na duhet është që Izraeli të përmbushë detyrimet”, tha Barrack pas një takimi në Bejrut me presidentin libanez Joseph Aoun.

Sipas kushteve të armëpushimit, Hezbollahu duhej të tërhiqte luftëtarët e tij nga kufiri me Izraelin, ndërsa të gjitha armët të viheshin nën kontrollin e shtetit libanez. Nga ana tjetër, Izraeli duhej të tërhiqte plotësisht trupat e tij nga vendi, megjithatë ai ka mbajtur forca në pesë pika kufitare që i konsideron strategjike.

I pyetur nga gazetarët nëse pritej që Izraeli të tërhiqej plotësisht nga territori libanez dhe të ndalonte shkeljet, Barrack tha se “pikërisht ky është hapi i ardhshëm” që nevojitet.

“Na duhet angazhimi e Izraelit, na duhet një plan ekonomik për prosperitet, rindërtim dhe rigjallërim”,  shtoi diplomati amerikan, duke iu referuar nevojës për përmirësim urgjent ekonomik në Liban, i rënduar nga një sërë krizash të thella vitet e fundit.

Barrack tha se Uashingtoni “tani është në proces të diskutimit me Izraelin për qëndrimin e tij”, duke shtuar se “në javët e ardhshme do të shihet progres nga të gjitha palët.”

“Kjo do të thotë një jetë më e mirë për popullin… dhe të paktën fillimi i një rruge drejt një lloj dialogu tjetër në rajon”, përfundoi ai.

Vizita e diplomatit amerikan vjen më pak se dy javë pasi kabineti libanez i ngarkoi ushtrisë hartimin e një plani për çarmatimin e Hezbollahut deri në fund të vitit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›