SPANJË – Katër vdekje nga zjarret masive në veri dhe perëndim

MADRID, 18 gusht /ATSH-DPA/- Numri i të vdekurve nga zjarret masive në veri dhe perëndim të Spanjës arriti në katër, thanë sot autoritetet.
Një zjarrfikës u vra kur kamioni me të cilin udhëtonte u përmbys në provincën León gjatë natës.
“Shkaku i aksidentit mbetet i panjohur”, thanë shërbimet rajonale të emergjencës.
Tre burra të tjerë, përfshirë dy zjarrfikës vullnetarë, u raportuan të vdekur më herët nga djegiet e rënda të pësuara gjatë luftimit me flakët.
“Aktualisht, janë 23 zjarre të mëdha në nivelin e dytë më të lartë të emergjencës rajonale”, tha drejtoresha e Mbrojtjes Civile, Virginia Barcones.
Deri më tani, zonat me popullsi të pakët janë goditur më rëndë, por mijëra banorë janë evakuuar. Flakët kanë dëmtuar gjithashtu pjesë të rezervave natyrore.
Gjithashtu sot, 15 rrugë kryesisht rurale të vogla u mbyllën në rajonet autonome të Castile dhe León, Galicia, Asturias dhe Extremadura.
Disa shërbime treni me shpejtësi të lartë mbetën të pezulluara për të pestën ditë radhazi.
Autoritetet thanë se thatësira e vazhdueshme, erërat e forta, terreni i vështirë dhe vala e zgjatur e nxehtësisë me temperatura mbi 40 gradë Celsius po i ndërlikojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve.
Temperaturat pritet të bien në shumë zona deri të nesërmen. //a.i/