E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli tërheq vizat e zyrtarëve australianë për shkak të deklaratës për njohjen e Palestinës

TEL AVIV, 18 gusht /ATSH-DPA/- Izraeli tha sot se do të anulojë vizat e përfaqësuesve australianë në Autoritetin Palestinez, në përgjigje të vendimit të Kanberrës për të njohur shtetin palestinez, muajin e ardhshëm.

Ministri i Jashtëm Gideon Saar tha se ambasadori australian Ralph King është njoftuar zyrtarisht për këtë hap.

Ai gjithashtu udhëzoi ambasadën e Izraelit në Kanberrë që të zbatojë një shqyrtim të shtuar të kërkesave të ardhshme për viza nga australianët që kërkojnë të hyjnë në Izrael.

Saar e lidhi këtë veprim si me vendimin e Australisë për njohjen ashtu edhe me refuzimin e saj për t’u dhënë viza disa figurave izraelite, përfshirë ish-ministren e Drejtësisë, Ayelet Shaked dhe kryetarin e komisionit parlamentar Simcha Rothman, një avokat i zëshëm i aneksimit të territoreve të Gazës.

“Ndërsa antisemitizmi po përhapet në Australi, duke përfshirë manifestime dhune kundër hebrenjve dhe institucioneve hebraike, qeveria australiane po zgjedh ta ushqejë atë me akuza të rreme, sikur vizita e figurave izraelite do të prishë rendin publik dhe do të dëmtojë popullsinë myslimane të Australisë”, tha Saar në një deklaratë.

“Është e turpshme dhe e papranueshme”, shtoi ai.

Ky debat shënon një përshkallëzim të mprehtë në marrëdhënien e dy vendeve. Pas lëvizjeve të ngjashme nga Franca dhe Kanadaja, qeveria australiane njoftoi javën e kaluar se do të njihte shtetin palestinez, me njohjen zyrtare që pritet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Izraeli i ka etiketuar lëvizje të tilla si një “shpërblim për Hamasin” pas sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe një kërcënim për ekzistencën e tij.

Megjithatë, krahasuar me Francën dhe Kanadanë, Izraeli i ka shoqëruar kritikat e tij ndaj Australisë me masa hakmarrëse për mosmarrëveshjen për vizat, duke thelluar përçarjen diplomatike. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›