BEOGRAD – Serbia kërkon shpjegime mbi paktin e mbrojtjes Shqipëri-Kosovë-Kroaci

BEOGRAD, 19 mars /ATSH-AA/ – Ministria e Jashtme e Serbisë deklaroi se do t’i dërgojë një kërkesë urgjente Shqipërisë dhe Kroacisë për të kërkuar sqarime në lidhje me një marrëveshje për një bashkëpunim tripalësh në fushën e mbrojtjes me Kosovën.
Marrëveshja e nënshkruar në Tiranë fokusohet në forcimin e aftësive mbrojtëse, avancimin e teknologjisë ushtarake dhe përmirësimin e ndërveprimit rajonal nëpërmjet manovrave dhe trajnimeve të përbashkëta.
Beogradi e kundërshton masën duke argumentuar se ”Shqipëria dhe Kroacia, së bashku me përfaqësuesin jolegjitim të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, kishin marrë masa që minojnë stabilitetin rajonal”.
”Republika e Serbisë, si garantuese e paqes dhe neutralitetit ushtarak në Ballkan, me të drejtë kërkon përgjigje për natyrën dhe objektivat e këtij bashkëpunimi të sigurisë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme serbe.
Serbia paralajmëroi se krijimi i një aleance ushtarake pa u konsultuar me Beogradin është shqetësuese, veçanërisht duke pasur parasysh përfshirjen e Kosovës, të cilën Serbia nuk e njeh si shtet të pavarur.
Marrëveshja e nënshkruar nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, shefi kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusiç dhe shefi i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, përshkruhet si një hap përpara drejt sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Ajo rikonfirmon mbështetjen e Shqipërisë dhe Kroacisë për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat euro-atlantike, një lëvizje që Serbia e kundërshton fuqishëm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e përshëndeti marrëveshjen, duke e cilësuar atë ”një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon”./ /os/