SHBA – Trump nis bisedën telefonike me Zelensky

UASHINGTON, 19 mars /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një bisedë telefonike të planifikuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, tha sot Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti Trump ndodhet në Zyrën Ovale në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky”, postoi zëvendësshefi i stafit, Dan Scavino në X.
Ky është kontakti i parë personal midis dy liderëve pas takimit të tyre katastrofik në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, në të cilin Trump akuzoi presidentin ukrainas se po luante “bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”.
Biseda me Zelensky vjen pasi Trump zhvilloi dje një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin për ta bindur atë të pajtohej me një armëpushim 30-ditor në Ukrainë.
Ndërsa një armëpushim gjithëpërfshirës nuk u arrit, Kremlini tha se Putini kishte rënë dakord të ndalonte sulmet në infrastrukturën e energjisë ukrainase për 30 ditë nëse Kievi bënte të njëjtën gjë.
Zelensky tha më pas se Kievi ishte i hapur për një marrëveshje të tillë, por kishte nevojë për më shumë informacion mbi atë që Trump dhe Putin kishin diskutuar. //a.i/