GJERMANI – Pistorius shpërfill pauzën e Putinit për sulmet në infrastrukturën energjetike ukrainase

BERLIN, 19 mars /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius hodhi poshtë sot marrëveshjen e arritur nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin për të ndalur sulmet në infrastrukturën energjetike në Ukrainë për 30 ditë.
Pistorius i tha transmetuesit gjerman ZDF se marrëveshja e arritur gjatë një telefonate mes dy liderëve ishte një “dështim”.
”Sulmet ruse në infrastrukturën civile të Ukrainës po vazhdojnë”, vuri në dukje Pistorius, pasi u raportuan sulme në disa zona të Ukrainës gjatë natës, përfshirë një spital.
“Putini po luan një lojë”, argumentoi ministri i Mbrojtjes.
“Jam i sigurt se presidenti amerikan nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë mënjanë për një kohë të gjatë”, theksoi ai.
”Jam shumë i sigurt se do të vijë një moment kur ai do të reagojë, ai do të duhet të reagojë, në përputhje me forcën dhe reputacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi Pistorius.
Ai paralajmëroi se kushtet e Putinit për një armëpushim të plotë njëmujor synojnë të dobësojnë Ukrainën, në mënyrë që Rusia të armatoset më tej dhe të përqendrojë më shumë trupa në kufirin me Ukrainën ose në territoret e pushtuara.
Pas bisedës telefonike mes dy presidentëve, Kremlini tha se Putini bëri një sërë kërkesash, përfshirë ndalimin e dërgesave të armëve dhe ndarjen e informacionit sekret me Ukrainën, përpara përfundimit të plotë të luftimeve.
Megjithatë, Trump më vonë i tha ”Fox News” se Putini nuk këmbënguli për ndalimin e menjëhershëm të të gjithë ndihmës për Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se ishte i hapur ndaj idesë, por se i duheshin më shumë detaje./ /b.n/