BERLIN – Bundestagu përshpejton ndihmën për Ukrainën pas votimit historik të shpenzimeve të mbrojtjes

BERLIN, 19 mars /ATSH-DPA/- Gjermania synon të dërgojë furnizime shtesë ushtarake në Ukrainë këtë vit, pasi ligjvënësit hapën rrugën për një rritje masive të shpenzimeve të mbrojtjes.
Sipas burimeve në Bundestag, Dhoma e Ulët e parlamentit të Gjermanisë, komiteti me ndikim i buxhetit do të vendosë për një rritje prej shumë miliardë eurosh të ndihmës për Ukrainën deri të premten.
Paketa përfshin 3 miliardë euro (3,3 miliardë dollarë) ndihmë për vitin 2025 dhe 8,3 miliardë euro të tjera për vitet 2026-2029.
Çështja se si të mblidhen fonde për mbrojtjen – dhe ndihma për Kievin – ishte një temë kryesore e fushatës zgjedhore gjermane në fillim të këtij viti.
Çështja tani është zgjidhur pasi Bundestagu miratoi dje një amendament historik të rregullave të borxhit kushtetues.
Masa duhet të miratohet të premten nga një shumicë prej dy të tretash në Dhomën e Lartë – Bundesrat.
“Pas paketës financiare historike për më shumë siguri, mbrojtje klimatike dhe investime, ne tani po tregojmë në parlament se jemi seriozë për mbrojtjen e lirisë në Ukrainë”, tha zyrtari për buxhetin, Sven-Christian Kindler nga të Gjelbërit.
“Populli i Ukrainës ka nevojë për mbrojtje nga bombat brutale të diktatorit rus”, shtoi ai.
Një zëdhënës i ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius tha sot se pajisjet do të përbëheshin nga sisteme të mbrojtjes ajrore Iris-T, raketa të drejtuara, radarë vëzhgimi, drone, automjete luftarake dhe armë të lehta. //a.i/