E Diel, 1 Nëntor 2026

BEOGRAD – Wadehpul kërkon angazhim të qartë të Serbisë drejt BE-së

BEOGRAD, 18 nëntor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i kërkoi sot Serbisë t’i japë fund ekuilibrimit diplomatik mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian dhe të përcaktohet qartë për kursin evropian.

Gjatë takimit me homologun e tij, Marko Duriç, në Beograd, Wadephul tha se Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të ndjekë me vendosmëri rrugën drejt BE-së, duke u përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së unionit, apo të dërgojë “sinjale të përziera që nuk përputhen me vlerat dhe politikat themelore të Bashkimit Evropian”.

Duriç deklaroi se Serbia mbetet  e vendosur dhe e përkushtuar drejt anëtarësimit në BE.

Wadephul i bëri thirrje qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç të vazhdojë të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes së Ukrainës dhe të ushtrojë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ai nënvizoi se anëtarësimi në BE kërkon “përparim të prekshëm në reforma, sidomos në  forcën e  ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, si edhe një angazhim të qartë ndaj vlerave evropiane .

Megjithë dallimet, Wadephul theksoi fushat ku mund të ketë bashkëpunim, si furnizimi me energji dhe zgjerimi i burimeve të rinovueshme, me synimin për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile ruse.

Duriç tha se Serbia e pranon politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe po merr pjesë aktive në zbatimin e saj.

“Ne po i bashkohemi unionit sepse duam të jemi në të ardhmen një shoqëri që i ngjan shoqërive të tjera perëndimore të zhvilluara”, tha ai.

BE-ja ka nisur negociatat e anëtarësimit me Serbinë që nga viti 2014./   /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›