E Enjte, 5 Nëntor 2026

BERLIN – Baerbock: Stabiliteti i Afrikës Perëndimore është çelësi për sigurinë evropiane

BERLIN, 15 korrik /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila do të udhëtojë sot në Afrikën Perëndimore, shpreson të zgjerojë bashkëpunimin me Senegalin dhe Bregun e Fildishtë, në mënyrë që të parandalojë përhapjen e paqëndrueshmërisë që aktualisht trondit Sahelin në pjesën tjetër të rajonit.

“Nëse më shumë vende në Afrikën Perëndimore arrijnë qëndrueshmerinë, kjo jo vetëm që do të ketë pasoja dramatike për popullsinë vendase, por edhe një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë në Evropë”, tha ministrja përpara vizitës së saj dyditore në rajon.

“Senegali dhe Bregu i Fildishtë, të cilët janë ndër pak demokracitë e mbetura të Afrikës Perëndimore, konsiderohen si dy nga partnerët më të rëndësishëm për Evropën në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende të Sahelit po i drejtohen Rusisë”, tha Baerbock.

Vizita e Baerbock sot në Senegal dhe nesër në Bregun e Fildishtë vjen mes një vale destabiliteti në rajonin e Sahelit, të cilin disa vëzhgues e kanë quajtur Brezi i grushtit të shtetit, pas kryengritjeve ushtarake në Mali, Çad, Guine, Sudan, Burkina Faso, Niger dhe Gabon. që nga viti 2020.

Ndërsa shumë prej qeverive të reja ushtarake janë larguar nga marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, janë tërhequr nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) dhe kanë marrë mbështetjen e forcave ruse, Senegali dhe Bregu i Fildishtë kanë ruajtur marrëdhëniet e tyre me Perëndimin.

“Njerëzit e dy vendeve bregdetare si dhe vendet e tjera në kufi me Sahelin jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm se terrori dhe dhuna nga vendet fqinje do të depërtojnë gjithashtu në shoqëritë e tyre,” tha Baerbock.

Ministrja gjermane ka planifikuar të takohet sot me homologun e saj senegalez Yassine Fall së bashku me presidentin e sapozgjedhur Bassirou Diomaye Faye në Dakar.

Senegali nuk ka përjetuar kurrë një konflikt të dhunshëm që nga pavarësia e tij nga Franca në vitin 1960.

Migrimi dhe energjitë e rinovueshme ka të ngjarë të jenë dy tema në diskutim, me përfaqësuesit e biznesit gjerman që shoqërojnë Baerbock në vizitën e saj. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›