BERLIN – Bundestagu miraton planin masiv të mbrojtjes dhe shpenzimeve për infrastrukturën

BERLIN, 18 mars /ATSH-DPA/- Dhoma e Ulët e Parlamentit të Gjermanisë miratoi sot ndryshimet në kushtetutë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe për të caktuar 500 miliardë euro (547 miliardë dollarë) për infrastrukturën dhe masat për mbrojtjen e klimës.
Masa në Bundestag, e konsideruar si një provë vendimtare për kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë, Friedrich Merz, u votua nga 512 ligjvënës.
Merz justifikoi borxhin e planifikuar me vlerë miliarda euro duke thënë se ai është i nevojshëm për sigurinë e Gjermanisë, Evropës dhe NATO-s.
“Është një luftë kundër vendit tonë gjithashtu, e cila po zhvillohet çdo ditë”, tha ai duke iu referuar luftës më shumë se trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës. Ai njoftoi masa shtrënguese dhe një reduktim të burokracisë.
Partitë që mbështesin masën, të cilat përfshijnë Unionin Demokristian (CDU) të Merz dhe partinë e saj motër bavareze, Unionin Kristiansocial (CSU), Socialdemokratët dhe të Gjelbërit, nuk ishin të sigurta se do të merrnin shumicën e nevojshme prej dy të tretash, ose 489 vota.
Zbutja e kufizimit të rreptë kushtetues të Gjermanisë për huamarrjen e qeverisë, i njohur si frena e borxhit, do të lejojë marrjen e kredisë së pakufizuar për të financuar shpenzimet e mbrojtjes, mbrojtjen civile, shërbimet e inteligjencës dhe sigurinë kibernetike.
Huatë mund të merren për të gjitha shpenzimet në këto zona që kalojnë 1% të produktit të brendshëm bruto (PBB).
Sipas llogaritjeve të politikanëve, kjo do të shkonte në rreth 44 miliardë euro këtë vit.
Fondi prej 500 miliardë eurosh për investimet e nevojshme në infrastrukturë përfshin 100 miliardë euro për mbrojtjen e klimës – një kusht i vendosur nga të Gjelbërit për të mbështetur masat.
Marrëveshja kërkon gjithashtu që neutraliteti i klimës deri në vitin 2045 të shkruhet në Ligjin Bazë ose Kushtetutën e Gjermanisë. //a.i/