BERLIN – Merz: Pavarësisht kritikave të Trump, marrëdhëniet me SHBA-në mbeten konstruktive

BERLIN, 29 prill /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sot se marrëdhënia e tij me presidentin Donald Trump vazhdon të jetë e mirë, pavarësisht deklaratave të forta të udhëheqësit amerikan.
“Marrëdhënia personale mes presidentit amerikan dhe meje mbetet – të paktën nga këndvështrimi im – po aq e mirë sa ka qenë gjithmonë”, tha Merz në Berlin.
“Ne vijojmë të kemi diskutime konstruktive me njëri-tjetrin”, shtoi ai.
Deklarata e Merz vjen pasi Trump kritikoi ashpër Merz për qëndrimet e tij ndaj sulmeve amerikane ndaj Iranit.
“Nuk e di për çfarë flet”, shkroi Trump për Merz në platformën e tij “Truth Social”.
“Nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera”, shtoi presidenti amerikan.
Merz, i cili nuk u pyet drejtpërdrejt për deklaratën e Trump, përsëriti qëndrimin e tij, duke theksuar se kishte pasur dyshime që në fillim, për atë që u ndërmor me luftën në Iran.
Sipas tij, këtë e kishte bërë të qartë që herët.
“Ne në Gjermani dhe në Evropë po vuajmë ndjeshëm pasojat, për shembull, nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit”, tha Merz, duke shtuar se kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin me energji dhe në performancën ekonomike.
“Në këtë drejtim, unë bëj thirrje që ky konflikt të zgjidhet”, shtoi kancelari gjerman. //a.i/