FOKUS – Rriten tensionet në jug të Libanit, sulme të reja Izrael-Hezbollah

TEL AVIV/ BEJRUT, 29 prill /ATSH-DPA/- Izraeli dhe milicia Hezbollah e mbështetur nga Irani – kryen sot sulme të ndërsjella, megjithëse armëpushimi është ende në fuqi.
Pesë anëtarë të një familjeje në Liban u vranë gjatë natës nga një sulm ajror izraelit në jug të vendit, ku u godit një ndërtesë, raportoi agjencia libaneze e lajmeve NNA.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar lidhur me këtë incident.
Sipas NNA-së, Izraeli ndërmori gjithashtu sulme ajrore në qytetin Bint Jbeil, një bastion i Hezbollahut, pa dhënë detaje mbi viktima të mundshme.
Izraeli neutralizon një dron të Hezbollahut
Ushtria izraelite njoftoi për sulme të tjera me dron nga Hezbollah sot në mëngjes, duke deklaruar se një dron u interceptua përpara se të hynte në territorin izraelit.
Sirena paralajmëruese u aktivizuan në një qytet kufitar izraelit. Ushtria bëri të ditur se kishte lëshuar disa raketa interceptuese ndaj “një objekti ajror të dyshimtë”, pasi ai u identifikua pranë ushtarëve izraelitë, në jug të Libanit.
Ajo akuzoi milicinë e mbështetur nga Irani për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Sulmet e ndërsjella ndodhën pasi ushtria izraelite raportoi dje në mbrëmje se një punonjës i një kompanie inxhinierike, që punonte për Ministrinë e Mbrojtjes në jug të Libanit, ishte vrarë.
Sipas ushtrisë, ai u godit nga një sulm me dron i Hezbollahut. Ndërkohë, Hezbollahu mori përgjegjësinë për sulmin në Bint Jbeil, duke deklaruar se objektivi ishte një buldozer izraelit që po shkatërronte banesa.
Sipas Izraelit, të gjitha shtëpitë në fshatrat pranë kufirit në jug të Libanit do të shkatërrohen, me qëllim parandalimin e përdorimit të tyre nga Hezbollahu, për sulme ndaj territorit izraelit.
Kritikët argumentojnë se shkatërrimi sistematik i fshatrave mund të përbëjë një krim lufte. //a.i/