BERLIN – Merz: Ukraina do të ketë nevojë për një ushtri të fortë pas marrëveshjes së paqes

BERLIN, 27 nëntor /ATSH/- Ukraina do të ketë nevojë për një ushtri të fortë dhe garanci sigurie pasi të arrihet një marrëveshje paqeje me Rusinë – dhe Kievi nuk duhet të detyrohet të dorëzojë territor, tha sot kancelari gjerman, Friedrich Merz, sipas “Reuters”
Duke theksuar se interesat e sigurisë evropiane, si dhe ato ukrainase, ishin në rrezik, Merz tha se garancitë po diskutoheshin me SHBA-në dhe Ukrainën.
“Ukraina ka nevojë për forca të armatosura të forta dhe nëse arrihet një marrëveshje paqeje… Ukraina do të vazhdojë të ketë nevojë për forca të armatosura dhe garanci sigurie të besueshme nga partnerët e saj”, tha Merz në një konferencë shtypi me homologun e tij estonez, kryeministri, Kristen Michal.
“Garancia më e rëndësishme, është një ushtri ukrainase e pajisur mirë”, tha ai.
“Kjo është arsyeja pse po diskutojmë edhe për madhësinë e ardhshme të synuar të ushtrisë ukrainase”, tha Merz, duke shtuar se ishte shumë herët për të diskutuar dislokimin e trupave ndërkombëtare.
Vendet evropiane kanë këmbëngulur që kufiri i numrit te forcave ukrainase duhet të jetë 800 000 ushtarë në vend të 600 000.
Merz tha gjithashtu se Ukraina nuk duhej të detyrohej të pranonte lëshime territoriale dhe se vija e frontit duhej të ishte pika fillestare për çdo negociatë. //a.i/