E Hënë, 2 Nëntor 2026

UKRAINË – Kievi: Financimi i jashtëm mbetet i rëndësishëm, BE të zhbllokojë asetet ruse

KIEV, 27 nëntor /ATSH/- Ukraina ka nevojë për financim të jashtëm, thanë sot zyrtarët, duke lëshuar një apel të ri për BE-në – që të miratojë një kredi të mbështetur nga fondet e ngrira ruse, pasi Kievi siguroi miratimin paraprak të ndihmës prej miliarda dollarësh nga FMN-ja, sipas “Reuters”.

Kievi siguroi dje një marrëveshje në nivel stafi me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një program të ri 4-vjeçar prej 8,2 miliardë dollarësh – për të ndihmuar Ukrainën të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe financiar gjatë luftës me Rusinë.

Huamarrja duhet të miratohet ende nga bordi i fondit, me kusht që Ukraina të përmbushë kushtet.

“Pavarësisht financimit të mundshëm nga FMN-ja, nevoja për financim të jashtëm në kohë dhe në shkallë të gjerë – me kushte koncesionare dhe të ngjashme me grantet – mbetet e rendesishme”, tha Ministria e Financave e Ukrainës, në një deklaratë.

Ministri i Jashtëm, Andriy Sybiha u bëri thirrje partnerëve të Kievit në BE që të miratonin vendimin për të përdorur asetet e ngrira ruse – për të mbështetur 140 miliardë euro kredi për Ukrainën.

“Është e rëndësishme për ne të marrim një përgjigje pozitive në lidhje me kredinë e dëmshpërblimit, përdorimi aktual i aseteve të ngrira ruse”, u tha Sybiha gazetarëve, duke shtuar se ishte gjithashtu jetike një program për të blerë armë amerikane për Ukrainën me para evropiane. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›