BERLIN – Merz dhe Zelensky shqyrtojnë planin e paqes të SHBA-së

KIEV/BERLIN, 25 nëntor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilluan sot një bisedë telefonike për të diskutuar përpjekjet e paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Dy udhëheqësit diskutuan zhvillimet e fundit dhe koordinuan hapat e mëtejshëm”, tha zyra e Zelensky.
“Presidenti ukrainas, Zelensky shprehu mirënjohjen e tij për faktin se Ukraina mund të mbështetet gjithmonë në udhëheqjen dhe mbështetjen e Gjermanisë”, thuhet në deklaratë.
Udhëheqësit gjithashtu folën për takimin e fundit të “Koalicionit të të Gatshmëve”, një grup mbështetësish të Ukrainës, i cili do të zhvillohet sot pasdite.
Berlini konfirmoi bisedën telefonike, e cila erdhi mes negociatave intensive për propozimin e paqes prej 28-pikësh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Plani i fundit i paqes, i paraqitur nga Uashingtoni në fund të javës së kaluar, fillimisht dukej se përmbante shumicën e kushteve të Kremlinit për t’i dhënë fund luftës, por që atëherë është rinegociuar intensivisht nga diplomatët evropianë dhe ukrainas.
Presidenti rus, Vladimir Putin e përshkroi versionin origjinal të planit prej 28-pikësh – si “bazën” për një zgjidhje përfundimtare drejt paqes, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e çdo zbutjeje të madhe të marrëveshjes në favor të Kievit.
“Uashingtoni dhe Kievi kanë arritur një marrëveshje mbi pikat më të rëndësishme të planit të paraqitur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha sot një zyrtar i lartë ukrainas.
Sipas raporteve të medias, një delegacion amerikan gjithashtu negocioi mbi planin me përfaqësuesit rusë në Abu Dhabi.
Ukraina është duke u mbrojtur kundër pushtimit në shkallë të plotë rus me ndihmën e Perëndimit që nga shkurti i vitit 2022. //a.i/