E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL- KE-ja rekomandon procedurë për deficit të tepërt ndaj Finlandës

BRUKSEL,  25 nëntor /ATSH- DPA/ –  Komisioni Evropian njoftoi sot  se planifikon të hapë një procedurë për deficit të tepërt ndaj Finlandës për shkak të shpenzimeve të larta qeveritare të financuara me borxhe.

Deficiti i Finlandës ka tejkaluar pragun e Bashkimit Evropian prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) që nga viti 2024 dhe parashikohet të mbetet mbi këtë kufi edhe në vitet në vazhdim.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga komisioni, pritet që deficiti i Helsinkit të rritet në 4.5% në 2025, para se të bjerë pak në 4% në 2026 dhe 3.9% në 2027.

Komisioni ka dhënë më shumë fleksibilitet vendeve të BE-së që tejkalojnë kufirin e deficitit për shkak të investimeve në mbrojtje. Në rastin e Finlandës, deficiti mbi kufirin mund të shpjegohet vetëm pjesërisht nga rritja e shpenzimeve ushtarake, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Vendi nordik përballet gjithashtu me rritje të ngadaltë ekonomike. PBB-ja e Finlandës pritet të rritet me 0,1% në 2025, dhe me 0,9% dhe 1,2% në 2026 dhe 2027, sipas të dhënave të BE-së.

Hapi tjetër në procedurat kundër Helsinkit është që Komiteti Ekonomik dhe Financiar i BE-së të japë opinionet mbi çështjen, para se komisioni të propozojë që ministrat e financave të BE-së të japin rekomandime për uljen e deficitit.

Nën Pakon e Stabilitetit dhe Rritjes së BE-së, shtetet anëtare duhet të kufizojnë deficitin buxhetor në 3% të PBB-së dhe raportin e borxhit publik ndaj PBB-së në 60%.

Kur shtetet shkelin rregullat, komisioni mund të nisë procedura për të rekomanduar reforma për uljen e deficitit dhe borxhit, duke siguruar stabilitetin e eurozonës.

Franca, Italia dhe Belgjika, si dhe Hungaria, Malta, Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Austria, po përballen aktualisht me procedura të tilla.

Ndërsa ndëshkimet që mund të arrijnë miliarda janë të mundshme në rast të shkeljeve të vazhdueshme, ato kurrë nuk janë zbatuar. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›