E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Merz viziton Brukselin për bisedime me zyrtarët e BE-së dhe NATO-s

BERLIN, 9 maj /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të mbërrijë sot në Bruksel për bisedime me zyrtarë të lartë të BE-së dhe NATO-s, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga marrja e detyrës, në fillim të kësaj jave.

Merz ka planifikuar të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Ai vizitoi të mërkurën Parisin dhe Varshavën në udhëtimin e tij të parë zyrtar jashtë vendit si kancelar.

Merz është zotuar se “zëri i Gjermanisë në Evropë dhe në botë” do të dëgjohet sërish.

Si udhëheqës i opozitës, Merz ka akuzuar ish-kancelarin Olaf Scholz për një qasje pasive ndaj çështjeve të BE-së – duke u zotuar se t’i japë fund “heshtjes” së Gjermanisë në politikën evropiane.

Merz ka premtuar bashkëpunim më të ngushtë me Francën dhe Poloninë – në përgjigje të ndryshimit të politikës së jashtme të SHBA-së nën drejtimin e presidentit Donald Trump.

Bisedimet e NATO-s pritet të përqendrohen në luftën në Ukrainë dhe gatishmërinë e aleancës për t’iu kundërvënë kërcënimeve ruse.

Vizita e Merz vjen përpara samitit të NATO-s, të planifikuar muajin e ardhshëm në Hagë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›