E Martë, 3 Nëntor 2026

LONDËR – Britania e Madhe do të njoftojë sanksione të reja kundër “flotës hije” të Rusisë

LONDËR, 9 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer pritet të njoftojë sot një valë të re sanksionesh ndaj Rusisë, pasi Britania e Madhe tha do të bënte gjithçka që është në fuqinë e saj për të shkatërruar “flotën hije” të presidentit Vladimir Putin.

Zyrtarët thanë se qeveria e Britanisë së Madhe do të ndërmerrte veprime kundër – deri në 100 anijeve- cisternë – që kanë transportuar ngarkesa me naftë në kundërshtim me sanksionet.

Ky vendim vjen ndërsa kryeministri britanik, Starmer ndodhet në Norvegji për një takim të Forcave të Përbashkëta Ekspedituese (JEF), një koalicion ushtarak i 10 vendeve evropiane, të cilat pritet të njoftojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën.

Zyra e Starmer, “Downing Street” tha se paketa e sanksioneve do të synojë anijet që kanë transportuar ngarkesa me vlerë më shumë se 24 miliardë dollarë, që nga fillimi i vitit të kaluar.

“Downing Street” tha gjithashtu se anijet e “flotës hije” kanë dëmtuar infrastrukturën e rëndësishme përmes asaj që ajo quajti “lundrim i pamatur”, duke iu referuar dëmtimit të raportuar të kabllove nënujore në Detin Baltik.

Starmer tha se çdo hap që do të rriste presionin mbi Moskën dhe punonte drejt paqes për Ukrainën – do të ishte një hap tjetër drejt sigurisë dhe prosperitetit në Britaninë e Madhe.

Kërcënimi i Rusisë për sigurinë tonë kombëtare nuk mund të nënvlerësohet, prandaj ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të shkatërruar operacionin e “flotës hije”, për të parandaluar Moskën të marrë të ardhura nga nafta dhe t’i investojë ato në makinën e luftës – dhe për të mbrojtur infrastrukturën nëndetëse nga e cila mbështetemi për jetën tonë të përditshme.

JEF është një koalicion ushtarak kryesisht i vendeve të Evropës Veriore dhe Lindore, dhe ka qenë operativ që nga viti 2018.

Përveç Britanisë së Madhe, anëtarë të tjerë të JEF përfshijnë vende nordike si Danimarka, Finlanda, Norvegjia, Suedia dhe Islanda, si dhe shtetet baltike dhe Holanda. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›