BRUKSEL – Dita e Evropës, Von der Leyen: Evropa mbetet një spirancë stabiliteti

BRUKSEL, 9 maj /ATSH/- Gëzuar Ditën e Evropës, uroi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një videomesazh në rrjete sociale.
“Ne jetojmë më gjatë dhe më të shëndetshëm se kudo tjetër në botë”, tha ajo.
“Kemi një ekonomi të fortë dhe dinamike, por edhe ajër të pastër, shkolla falas dhe lirinë e fjalës për të gjithë”, tha Von der Leyen.
“Sot, edhe në kohë pasigurie globale, Evropa mbetet një spirancë stabiliteti”, theksoi presidentja e BE-së.
“Ne jemi një demokraci unike me 27 vende dhe 450 milionë banorë dhe jemi aq tërheqës sa 12 vende janë në listën e pritjes për t’iu bashkuar Unionit tonë”, tha ajo.
“75 vjet pas deklaratës së Schuman, Evropa është më shumë se një Bashkim, është shtëpia jonë dhe ne mund të jemi krenarë për të. Rroftë Evropa dhe Evropa e lumtur”, përfundoi Von der Leyen.
“Dita e Evropës”, e cila mbahet më 9 maj çdo vit, simbolizon paqen dhe unitetin në Evropë.
Kjo ditë, shënon përvjetorin e “Deklaratës së Schuman” – një propozim historik i bërë nga Robert Schuman, ministri i Jashtëm francez, në vitin 1950 – i cili hodhi themelet e bashkëpunimit evropian.
Propozimi i Schuman konsiderohet si fillimi i asaj që tani është Bashkimi Evropian. //a.i/