BERLIN – Mjeku gjerman akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve

BERLIN, 16 prill /ATSH/- Një mjek gjerman i kujdesit paliativ është akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve të tij – duke përdorur një koktej drogash vdekjeprurëse, sipas BBC.
Prokurorët në Berlin kanë akuzuar 40-vjeçarin se i ka vënë zjarrin shtëpive të disa prej viktimave të tij të dyshuara – për të mbuluar gjurmët.
Ai dyshohet se ka vrarë 12 gra dhe tre burra midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024, megjithëse prokurorët kanë thënë se besojnë se totali i tyre mund të rritet.
“Mjeku, i cili nuk është emëruar për shkak të ligjeve të rrepta të privatësisë në Gjermani, nuk i ka pranuar akuzat”, thanë prokurorët.
Ai akuzohet se ka përdorur anestezi dhe një relaksues muskulor ndaj pacientëve të tij – pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.
“Relaksuesi paralizon muskujt e frymëmarrjes, duke çuar në ndalim të frymëmarrjes dhe vdekje brenda pak minutash”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.
Ai ka punuar në disa lande gjermane, dhe mosha e pacientëve të vrarë varion nga 25 deri në 94 vjeç.
Gjithashtu, pretendohet se i dyshuari i ka vënë zjarrin banesave të viktimave të tij – të supozuara për të mbuluar vrasjet në pesë raste të ndryshme.
I dyshuari akuzohet për vrasjen e dy pacientëve në një ditë të vetme në korrik 2024 – një burrë 75-vjeçar në shtëpinë e tij në qendër të Berlinit dhe një grua 76-vjeçare në një lagje fqinje “disa orë më vonë”.
Prokurorët thanë se mjeku ishte përpjekur t’i vinte zjarrin shtëpisë së gruas, por nuk ia kishte dalë.
Mjeku, fillimisht dyshohej se kishte vrarë katër persona nën kujdesin e tij – kur u arrestua në gusht 2024 – por hetimet zbuluan vdekje të tjera të dyshimta, me më shumë zhvarrosje të viktimave të mundshme. //a.i/