E Martë, 3 Nëntor 2026

IRAN – Shefi i IAEA në Teheran për bisedimet bërthamore përpara negociatave SHBA-Iran

TEHERAN, 16 prill /ATSH-DPA/- Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi mbërriti sot në Teheran për bisedime që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve teknike përpara raundit të dytë të negociatave bërthamore SHBA-Iran.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve “Mehr”, Grossi ka planifikuar të takohet nesër me shefin e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami dhe ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi.

Vizita synon të diskutojë dallimet teknike me Teheranin, veçanërisht në lidhje me programin e tij të pasurimit të uraniumit.

Një pikë kyçe e mosmarrëveshjes është pasurimi i uraniumit nga Irani në pastërtinë 60%, një nivel shumë më i lartë se kufiri i vendosur prej 3,67% – sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Reduktimi i pasurimit do të ishte një kusht qendror për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë politike.

Gjatë vizitës së tij të mëparshme në Iran, Grossi kërkoi përgjigje për pyetjet e pazgjidhura në lidhje me aktivitetet bërthamore të Iranit dhe bëri presion për rritjen e aksesit në objektet bërthamore, por me sukses të kufizuar.

Raundi i parë i bisedimeve të tërthorta bërthamore SHBA-Iran – të iniciuara nga presidenti amerikan,Donald Trump – u zhvillua javën e kaluar në Muscat, Oman. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›