E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH, 6 milionë euro për eksplorimin e minierave në veri



BERZH po investon deri në 6 milionë euro për Tirex, një kompani për eksplorimin e minierave, pjesë e bursës së aksioneve të TSX Venture Exchange (Bursa në Kanada) dhe Frankfurt (Freiverkehr), për të ndihmuar programin e tyre për eksplorim dhe shpim në rajonin e Mirditës, 70 km në veri të kryeqytetit, Tiranës.

Tirex është një nga kompanitë e para private të minierave për eksplorim në Shqipëri. Rajoni i Mirditës ka 17 vende rezervash të zbuluara më parë që përmbajnë një shumëllojshmëri metalesh ku përfshihen bakri, zinku, ari dhe argjendi. Rajoni gjithashtu krijon mundësi për të zbatuar teknika moderne eksplorimi për zbulimin e rezervave të reja dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonave ekzistuese të minierave.

Investimi është i formës se një kredie të konvertueshme, e cila mund të lëvrohet në tri pjesë të njëjta. Konvertimi do të lidhet me çmimin e tregut të aksioneve të Tirex-it në TSX Venture Exchange (Bursa në Kanada) në momentin e firmosjes së pjesës së parë të kredisë dhe lëvrimit të pjesës së dytë dhe të tretë. Projekti i eksplorimit drejtohet nga një ekip me eksperiencë gjeologësh dhe topografësh kanadezë dhe shqiptarë. Duke zbatuar teknologji të papërdorura më parë në Shqipëri, Tirex po drejton një eksplorim modern në rajon që nuk ishte zhvilluar më parë në standarde të larta. Fondi shtesë do t’i japë mundësi Tirex-it të çojë në standarde ndërkombëtare rezervat minerale të identifikuara më parë si edhe të zhvillojë qendrat e reja të zbuluara gjatë aktivitetit të eksplorimit të Tirex-it.

“Në investimin e saj të parë në sektorin e burimeve natyrore në Shqipëri, BERZH synon të sigurojë një investim në sektorin privat që sjell standardet më të larta të teknologjisë në industrinë e nxjerrjes së mineraleve në një vend që ka parë investime të limituara cilësore në dhjetëvjeçarin e fundit. Mbështetja e BERZH-it do ta ndihmojë kompaninë të marrë aksione shtesë ose financime kredie për zhvillimin e mëtejshëm të rajonit, duke kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të sektorit”, - tha Daniel Berg, drejtor i zyrës së BERZH-it në Tiranë. Për më tepër, duke pasur një përfaqësues të BERZH-it në bordin e Tirex-it, banka do të përkrahë drejtpërdrejt përpjekjet e kompanisë për të vendosur standarde të larta biznesi dhe mjedisore. Bryan Slusarchuk, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Tirex Resources u shpreh: “Njoftimi për financim tregon një arritje të madhe për Tirex Resources. BERZH është një partner ideal për Tirex-in, sepse i shton një vlerë të madhe për sa i përket ekspertizës në fushën e marrëdhënieve me qeverinë, marrëdhëniet me mjedisin dhe komunitetin. Qëllimi ynë është të shohë zhvillimin e një rajoni miniere në nivel botëror në Shqipëri që do të ketë rëndësi materiale në ekonominë shqiptare”.

BERZH është institucioni më i madh investues në Shqipëri, që ka investuar më shumë se 400 milionë euro në sektorë të rëndësishëm, duke përfshirë infrastrukturën kombëtare, sektorin financiar dhe sektorin e korporatave private.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›