E Diel, 1 Nëntor 2026

Masteri në dyshim, nuk mbërrijnë udhëzimet nga ministria

Edhe këtë vit, nisja e programeve master duket se do të kalojë nga kalvari burokratik midis Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe universiteteve publike në vend. Ndonëse u vendos që programi i ciklit të dytë të studimeve do të nisë më 10 nëntor, ende nuk është përcaktuar asgjë në lidhje me aplikimin e pranimin e studentëve, si edhe me zhvillimin e programeve mësimore.

Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë me dije se janë ende në pritje të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, me anë të të cilave do të përcaktohen kuotat dhe tarifat e regjistrimit, si edhe dhënia “ok” përfundimtar për të nisur procesin mësimor. Ndërkaq, për disa prej programeve, Ministria e Arsimit është shprehur se nuk kanë kurrikulat e nevojshme në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë.

Ngërçi

Ngërçi institucional, që duket se do të penalizojë edhe këtë vit një pjesë të atyre që duan të vijojnë studimet e ciklit të dytë, duket se nuk është anashkaluar ende. Ndonëse Këshilli i Ministrave prej ditësh ka çelur programe të reja të nivelit të dytë në Universitetin e Tiranës, Politeknik, atë Bujqësor, si edhe master të nivelit të parë në universitetet e rretheve, nisja e vitit akademik duket se i ka lënë ende në pritje këto institucione.

Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se nuk është përcaktuar ende data e nisjes së aplikimit në programet master në këtë institucion, pasi nuk kanë mbërritur në të udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Arsimit, për kuotat e pranimit dhe tarifat. Ndërkaq, bëhet e ditur se ka përfunduar procedura e përcaktimit të kritereve për pranimin e studentëve në universitet, kritere të cilat do të jenë në bazë fakulteti.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit bën me dije se do të jepet leja për nisjen e studimit, të vetëm atyre programeve që kanë riformuluar kurrikulat në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë, që i referohet programit të Bolonjës. Ndërkohë, burime jozyrtare nga kjo ministri bëjnë të ditur se dhënia e lejes për nisjen e programit master do të bëhet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit në sistemin me kohë të plotë të ciklit të parë në universitetet publike.

Ripërsëritja

Problemet në lidhje me nisjen e programeve të nivelit të dytë nuk janë të reja. Vitin akademik që sapo lamë pas, programet master nuk filluan mësimdhënien për shkak të mungesës së kurrikulave të reja, që do ta bënin të pajtueshëm mësimdhënien me ligjin e ri të arsimit të lartë, e si pasojë edhe me Kartën e Bolonjës. I njëjti fenomen ndodhi edhe me programin me kohë të pjesshme.

Vitin e kaluar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri të arsimit të lartë, që riorganizonte në masë të konsiderueshme të gjitha hallkat dhe kurrikulat në universitetet publike në vend. Si pasojë e hyrjes së këtij ligji në fuqi, në universitetet publike do të duhet të fillonte ky riorganizim total, në një kohë rekord, çka doli e paarritshme. Këtë vit, universitetet dhe ministria pritet të gjejnë gjuhën e përbashkët për të mosripërsëritur skenarin e vjetshëm, më shumë se një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit për arsimin e lartë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›