Prokurimet publike, biznesi kërkon bonuse për produktet e certifikuara
Komuniteti i biznesit kërkon mbështetje për produktet shqiptare të certifikuara sipas standardeve evropiane, gjatë prokurimeve publike. Kryetari i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, gjatë një takimi në kuadër të reduktimit të barrierave në prokurimet publike të zhvilluar këtë javë në Tiranë, u shpreh se ka ardhur koha për dhënien e bonuseve për të gjitha produktet "origjinale" shqiptare, hap ky i cili do të inkurajonte edhe prodhuesit dhe fermerët vendas. "Ajo çka ne kërkojmë, është që kur konkurrohet në prokurimet publike, produkteve shqiptare të certifikuara sipas standardeve evropiane, t'u jepet përparësi", - deklaroi Zhilla. Sipas tij, tashmë ligji "Për prokurimet publike" është në përmirësim e sipër, ndërsa shumë shpejt do të ketë një tryezë me përfaqësues të komunitetit të biznesit si dhe Agjencisë së Prokurimeve Publike, ku do të parashtrohen edhe kërkesat dhe sugjerimet tona, në kuadër të përmirësimit të tij, për reduktimin e barrierave për biznesin.