E Diel, 1 Nëntor 2026

BERZH: Kriza përkeqësoi ekonominë e 60 % të familjeve shqiptare

Kriza ekonomike globale ka përkeqësuar ekonomitë e familjeve, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në vendet në tranzicion. Sipas një raporti të fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH, që është hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, thuhet se rreth 60 për qind e ekonomive familjare në Shqipëri janë përkeqësuar nga efektet negative që ka shfaqur kriza globale. BERZH e ka shtrirë studimin e saj në 29 vende ku ka degë dhe në 5 shtete të zhvilluara si Franca, Britania e Madhe, Italia, Suedia dhe Gjermania. Siç duket edhe nga grafiku, ekonomitë familjare janë përkeqësuar shumë në Shqipëri, në krahasim me ekonomitë familjare të Rajonit. Pasi të paktën shtetet e Ballkanit paraqiten të afektuara nga kriza me një përqindje më të ulët, jo më shumë se 50 për qind. BERZH vë në dukje se ka diferenca të mëdha në shifra në Rajon. Kriza në disa vende ka përkeqësuar disa tregues dhe në disa vende të tjera tregues të tjerë, por të gjitha sëbashku kanë ndikuar në ekonomitë e familjeve negativisht. Në një mesatare të përgjithshme, në 29 vende raporti gjen se 42 për qind e familjeve në 29 vende, janë përballuar me pasoja në ekonominë e tyre për shkak të krizës ekonomike. Gjermania dhe Britania kanë raportuar më pak të prekur në këtë drejtim. Ndërsa 70 për qind e familjeve në të 29 vendet kanë pohuar se, kriza ka ndikuar në uljen e shpenzimeve për artikuj ushqimorë dhe për shërbimet shëndetësore. Në survejimin e BERZH, Shqipëria ka dalë dobët edhe në mbështetjen publike të familjeve të varfra nga efektet e krizës. Kështu, nga grafiku i shërbimeve publike për familjet e varfra, mbështetja në vendin tonë shënon vetëm 12 për qind, duke lënë pas vetëm vende të tilla si Maqedonia, Azerbaxhani dhe Bjellorusia. Ndërkohë që vende të tjera si Latvia, Hungaria dhe Çekia, mbështetja e familjeve të varfëra me shërbime publike arrin në më shumë se 30 për qind. BERZH ka marrë në konsideratë për këtë tregues pagesat e qeverisë për asistencë sociale dhe pagesa të papunësisë. Ekspertët e BERZH kanë vërejtur se më shumë se 50 për qind e familjeve kanë reduktuar konsumin për shkak të krizës ekonomike globale. Ndërkohë që 26 për qind e familjeve kanë kthyer mbrapsht planet e tyre për pushime, pikërisht për shkak të krizës. Gjithashtu 25 për qind e familjeve kanë pohuar se, kanë shkurtuar shpenzimet e cigareve dhe alkoolit dhe 24 për qind e tyre kanë pohuar se, kanë shkurtuar shpenzimet për shëndetin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›