Kompanitë e mëdha, oferta pune për studentët e UET
Më shumë se 30 kompani të mëdha private u kanë ofruar mundësi konkrete punësimi studentëve të Universitetit Europian të Tiranës. Ofertat e tyre të punës janë shpalosur dje para studentëve, gjatë Panairit të Punës të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës (UET). UET, i vetmi institucion i arsimit të lartë publik dhe privat që ndërmerr një nismë të tillë, ka çelur për të dytin vit radhazi Panairin e Punës për studentët e tij. Nëpërmjet këtij panairi UET u ka dhënë mundësi studentëve që përveç ofrimit të dijeve gjatë studimeve, t’u ofrojë edhe një mundësi punësimi. Duke e menduar si një aktivitet shumë të rëndësishëm për karrierën e studentëve, por duke u nisur edhe nga suksesi i panairit të vitit të shkuar, UET vendosi të realizojë për të dytin vit radhazi Panairin e Punës për studentët. Panairi është zhvilluar për pesë orë rresht, nga ora 10.00 deri në 13.00, në hollin e UET-it, ku plot 33 kompani, institucione, organizata dhe biznese të rëndësishme në vend, si: Vodafone, Eagle, Plus, Agna Group, Deka, City Park, Olim, Departamenti i Administratës Publike, CEZ, BKT, Banka Credins, Sigal, Kryqi i Kuq Shqiptar e shumë të tjera u kanë paraqitur nga afër studentëve ofertat e tyre për punësim. Studentët e Universitetit Europian të Tiranës, të nivelit Master, por edhe Bachelor, të cilët diplomohen, kanë mundësinë unike që u ofrohet nga vetë universiteti për të krijuar kontaktet e para me kompanitë lider në tregun e punës, por edhe për të pasur shansin e punësimit prej tyre në sektorët e interesuar, duke realizuar një intervistë me stafin e burimeve njerëzore e duke dorëzuar për herë të parë CV-të e tyre. Kompanitë në fund do të vlerësojnë kandidatët potencialë për vendet e punës, duke u ofruar kështu një shans edhe të rinjve për konkurrueshmërinë në tregun e punës. Fjala e hapjes së panairit i ishte rezervuar presidentes së Universitetit Europian të Tiranës, Teuta Dobi, e cila është shprehur se “Universiteti Europian i Tiranës ka zhvilluar në themel të tij edhe disa shërbime që përfshijnë mbështetjen e studentit për të kërkuar punë me kohë të plotë si dhe ndërmjetësimin e praktikave mësimore efektive pranë institucioneve dhe kompanive të mëdha”. Mjaft pozitive kanë qenë edhe përshtypjet e studentëve për këtë panair, që është një mundësi më shumë për punësimin e tyre. Duke e vlerësuar këtë mundësi që u jep universiteti ku ata kanë studiuar, qindra studentët janë dyndur për të dorëzuar CV-të e tyre pranë përfaqësuesve të subjekteve punëdhënëse, duke kontaktuar me ta në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nga ana e tyre, kompanitë private kanë mirëpritur studentët, duke u shpjeguar në mënyrë të detajuar pozicionet e lira të punës që ata ofronin. Në mbyllje të panairit, drejtuesit e UET-it, veç falenderimeve për bashkëpunimin u kanë shpërndarë edhe certifikata mirënjohjeje të gjitha subjekteve pjesëmarrëse në të. Më pas është organizuar edhe një koktelj, ku të pranishmit në një atmosferë të ngjashme me festat kanë shkëmbyer midis tyre idetë për këtë panair. Tashmë Panairi i Punës është kthyer në një traditë të përvitshme nga Universiteti Europian i Tiranës, dhe sipas drejtuesve të tij, kjo nismë ka dhënë rezultate konkrete, duke i ndihmuar studentët në punësim konkret. Kjo është një mundësi unike që UET ua ofron çdo vit studentëve të tij.