Berisha: Marrëveshja me FMN vetëm për borxhin, pagat dhe pensionet do rriten
Me buxhetin nën presion rritja e pagave dhe pensioneve do të jetë më e ulta në historinë e rritjeve të mesvitit, pas buxhetit të rishikuar që prej traditës së krijuar nga qeveria Berisha. Megjithatë, rritja do të ndodhë dhe do të jetë e indeksuar në termat e objektivave të inflacionit, të vendosura nga Banka e Shqipërisë. Kryeministri Berisha, dje në mbledhjen e radhës së qeverisë, deklaroi se “rrogat do të rriten, rrugët do të ndërtohen, sepse ne nuk mund të mbetemi vend i prapambetur. Ne kemi një projekt: Shqipëria - vend i zhvilluar dhe Shqipëria - vend i zhvilluar nuk mund të jetë pa një infrastrukturë moderne, pa telekomunikacion modern, pa zhvillim rural të qëndrueshëm. Ne nuk mund të lëmë që fshatrat dhe komunat tona, përveç elektricitetit, të jenë si në mesjetë. Ne do të bëjmë gjithçka që ato, çdo ditë e më shumë, të kenë urbanizimin e lagjeve të qytetit. Kjo po funksionon dhe kemi një mirëkuptim, në tërësi”. Kryeministri Berisha theksoi gjatë fjalës së tij se vendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve nuk cenon marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar sepse nuk ekziston një e tillë. Ai tha se marrëveshja me FMN-në parashikon mbajtjen në të njëjtat kuota të borxhit publik. “Të gjitha komentet që bëhen se gjoja qeveria nuk po dëgjon këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë vetëm trillime. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë të qartë çdo vit, ka theksuar me të madhe në të gjitha dokumentet e tij suksesin e Shqipërisë, suksesin e reformave ekonomike në vend dhe duhet të informojë qytetarët se në treguesit e kuadrit makroekonomik siç janë borxhi, inflacioni dhe deficiti buxhetor, luajaliteti dhe vendosmëria e qeverisë është absolute, për t’ju përmbajtur me rigorozitetin më të madh treguesve të shpallur. Ne nuk rrisim borxhin, ndaj do të bëjmë një rishqyrtim të buxhetit. Borxhi nuk do të rritet në asnjë lloj mënyre. Kemi një marrëveshje me FMN-në dhe kjo marrëveshje është mosrritja e borxhit. Ne nuk kemi firmosur kurrë marrëveshje për mosrritje rrogash”, – u shpreh kreu i qeverisë, Berisha. Gjithashtu ai theksoi se nuk ekziston asnjë marrëveshje tjetër e mundshme, për të rritur taksat. Berisha theksoi se qeveria që ai drejton nuk ka deklaruar se do të ulë borxhin, por se nuk do të rrisë borxhin dhe ka qenë 59 për qind, ka qenë 59.4 për qind vjet dhe po kaq do të jetë sivjet.
“Pra, mund t’ju them se jo vetëm nuk ka një cenim të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por ka respektim rigoroz të marrëveshjes me të. Ne nuk kemi deklaruar kurrë që nuk do të rrisim rrogat. Po, ka një këshillë nga FMN dhe kjo është e vërtetë, se ne i kemi transparente marrëdhëniet me të, të ngrimë rrogat e pensionet dhe absolutisht është dashamirëse, nuk ka ndonjë qëllim tjetër, veçse dashamirësi. Ka një këshillë për të parë mundësinë të rrisim nga 10 në 15 për qind taksën e sheshtë. Por ne mendojmë se çështjet që mund të krijohen duhet t’i zgjidhim me performancë më të mirë dhe jo duke rritur taksat për bizneset tona. Ne kemi nevojë për bizneset”, - u shpreh Berisha. Nga ana tjetër, dje pritej që projektbuxheti i rishikuar të kalonte për miratim në Qeveri, pasi financat e kanë kaluar draftin e plotë. Por meqenëse buxheti është nën presion, për shkak të të ardhurave dhe shkurtimi do të prekë të gjithë institucionet, kreu i qeverisë, Berisha ka preferuar të thellojë konsultimet që të bëjë publike variantin final dhe me vendimet e tij pas përgatitjes nga financat të këtij drafti.