E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Shqipëria, 6% rritje ekonomike më 2008

Nga Genc Kondi
Gjatë prezantimit dje në Tiranë, të Raportit të Tranzicionit 2008, u tha se "rritja në Shqipëri pritet të arrijë 6.1 për qind në vitin 2008, nga 6 për qind në vitin 2007. 

TIRANE- Ka vijuar sërish debati qeveri-institucione ndërkombëtare lidhur me shifrat e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë gjatë vitit 2008. Këtë herë ministri i Financave, Ridvan Bode iu është kundërvënë ekspertëve të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Gjatë prezantimit dje në Tiranë, të Raportit të Tranzicionit 2008, u tha se "rritja në Shqipëri pritet të arrijë 6.1 për qind në vitin 2008, nga 6 për qind në vitin 2007. Ndërsa në vitin 2009, rritja pritet të arrijë në 4 për qind". Ivo Germann, kryeekonomist i BERZH-it për Shqipërinë, u shpreh se: "Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha, por nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritjen e cilësisë së infrastrukturës, për të ruajtur në të ardhmen rritjen mbresëlënëse ekonomike të viteve të fundit". Me këto shifra duket se nuk ka qenë dakord kreu i Financave, Bode. Në fjalën e tij, ndër të tjera, ai ka theksuar se "rritja ekonomike në tre tremujorët e parë të vitit ishte dyshifrore dhe pritet që edhe rritja vjetore të konfirmohet, së paku 7-8%".
Kriza
Sipas BERZH-it, rritja ekonomike në rajonin ku ajo vepron pritet të ngadalësohet dukshëm në vitin 2009, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë botërore dhe e turbullirave në tregjet financiare, ndërkohë që banka nxit vendet ku investon, që t'i kushtojnë përparësi të dorës së parë stabilitetit të sistemit të tyre bankar.
Erik Berglof, drejtor i Zyrës Ekonomike të BERZH-it, u shpreh se mosndërprerja e rritjes ekonomike në rajon gjatë fazave të para të krizës botërore ishte një tregues për arritjet e dukshme të reformave. Por tani, rajoni, i përballur me një atmosferë ndërkombëtare shumë pak dashamirëse, me largimin e kapitalit nga tregjet në zhvillim, mungesë dëshire për rrezik, si dhe me recesion në ekonomitë kryesore të OECD-së (Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik), do të provojë qëndrueshmërinë e vendeve në tranzicion. Ai shtoi se ngadalësimi i shpejtë do të zbusë kërcënimin e inflacionit, ndërsa stabiliteti i sistemit bankar do të kthehet në prioritetin kryesor për qeveritë e të gjithë rajonit. "Masat për stabilitet duhet të koordinohen me vendet e tjera, si në Evropën Perëndimore, ashtu edhe në vendet e tjera në tranzicion, duke marrë parasysh ndërlidhjen e pronësisë në sistemin financiar të rajonit", - tha ai.
Rreziku
Raporti i Tranzicionit përmend një rrezik, që është shumë i dukshëm në rastin e ekonomisë shqiptare. Sipas tij, ekziston një rrezik që rritja ekonomike në rajon vitin e ardhshëm të jetë edhe më e ulët, nëse financimet e huaja zvogëlohen papritur. "Disa vende, në veçanti, vazhdojnë të kenë llogari korrente me deficite të mëdha, të kombinuara me borxhe të larta në monedhë të huaj dhe për këtë arsye janë të prirura të pësojnë ulje më të ndjeshme të prodhimit të brendshëm, nëse hyrjet e kapitalit zvogëlohen shpejt", thuhet në të.
(s.g/Gazetashqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›